Mes njerëzve të artit dhe letërsisë në Durrës, autori Visar Zhiti prezantoi romanin e tij më të fundit “Këpuca e aktorit”.

Me një shtrirje të gjatë kohore, në tre etapa të historisë së 100 viteve të fundit të vendit tonë, Zhiti sjell një sagë familjare me personazhe realë, por edhe të trilluar.

“Është një sagë familjare e përqendruar në lojën e teatrit, në kuptimin e drejtpërdrejtë apo metaforik, në skenë dhe jashtë saj. Nis në vitet e mbretërisë, për të kaluar më pas në vitet e pushtimit fashist, diktaturës komuniste, shembjes së saj dhe vitet e para të demokracisë deri në ditët tona”,– thotë Zhiti.

E veçanta e romanit më të fundit të Zhitit është pikërisht ajo që i ka dhënë vetë emrin veprës “këpuca e aktorit”. Siç thotë vetë autori për “DurrësLajm”, në këtë jetë jemi nga pak të gjithë aktorë, e për pasojë ky personazh pa kohë mund të përfaqësojë gjithkënd nga ne.

Në aktivitetin letrar të organizuar nga biblioteka e qytetit, autori Andreas Dushi zhvilloi një bisedë me autorin Visar Zhiti rreth romanit të tij, ndërsa referuan mbi këtë vepër disa nga emrat më të njohur të letrave në Durrës.

M.B.