Në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici” në Durrës u promovua romani “Hëna”, vepra e parë letrare e autorit Xhevahir Gradica, i cili prej dekadash kontribuon në fushën e arsimit si mësues i gjuhës dhe letërsisë në këtë institucion.

Aktiviteti u organizua nga stafi i shkollës në një atmosferë të ngrohtë dhe mjaft mbresëlënëse, ku morën pjesë mësues, përfaqësues të bibliotekës publike të Durrësit, miq, kolegë dhe dashamirës të letërsisë.

Të pranishmit u ndalën tek mesazhet që përcjell libri, mënyra e ndërtimit të subjektit dhe emocionet që ai përçom tek lexuesi. Sipas tyre, “Hëna” është një roman që arrin të mbajë të zgjuar interesin nga fillimi deri në fund, përmes një rrëfimi dinamik dhe disa linjave të ndërthurura të ngjarjeve. siirnkon

Një nga momentet më të veçanta të aktivitetit ishte leximi i një pasazhi nga romani nga mësuesja Klodiana Pista, e cila më pas u shpreh se vepra mbart tension emocional dhe elementë të fortë narrativë. Ajo theksoi se në roman ndërthuren linja të ndryshme rrëfimi, ku spikasin dashuria, investigimi dhe përjetimet njerëzore, duke e bërë librin të afërt dhe të ndjeshëm për lexuesin.

Ky është romani i parë i Xhevahir Gradicës, por jo kontakti i tij i parë me botën e shkrimit. Autori ka një eksperiencë afro 40-vjeçare në arsim, ndërsa përgjatë viteve ka ushtruar edhe profesionin e gazetarit. Pikërisht kjo përvojë e gjatë me njerëzit, ngjarjet dhe realitetin e përditshëm ka shërbyer si frymëzim për ndërtimin e subjektit të romanit dhe karaktereve të tij. sirnkon

Në fjalën e tij, autori u shpreh se “Hëna” është një roman që ka në qendër lirinë në kuptimin më të gjerë të saj, lirinë e mendimit, të fjalës, të dashurisë dhe të besimit. Ai tregoi se libri përmban edhe nota autobiografike, pasi në të janë reflektuar përjetime personale, emocione dhe eksperienca të jetës së tij.

Promovimi i romanit “Hëna” u kthye jo vetëm në një aktivitet letrar, por edhe në një moment vlerësimi për kontributin shumëvjeçar të autorit në arsim dhe kulturë, duke sjellë për publikun një vepër që ndërthur emocionin, reflektimin dhe mesazhet njerëzore.