Këto ishin vetëm disa rreshta nga romani më i fundit i shkrimtarit dhe dramaturgut të njohur Bashkim Hoxha, të lexuara nga studiuesja e re, Sonja Llana. Romani i tij më i fundit “Një shaka e vogël me vdekjen” u promovua mbrëmjen e së mërkurës në ambientet e Muzeut Arkeologjik Durrës. A mund të bëhet shaka me vdekjen? A kemi të bëjmë me heronj të antikitetit apo heronj të panjohur të ditëve tona? Është një roman për të kaluarën, apo një roman që i flet të tashmes dhe projektohet në të ardhmen? Këto janë disa nga pyetjet që mund të ngrejë secili lexues, që tashmë jo vetëm e ka marrë në duar, por edhe e ka lexuar këtë vepër që i shtohet morisë së botimeve të mëparshme të Hoxhës.

Studiuesja Teuta Dhima, në recensën e saj e cilësoi kolanën e veprave të romancierit durrsak një pazëll, ku secili libër zbardh detaje të mëtejshme nga romanet e mëparshme dhe krijon një lidhje unike me të tërën. Duke u ndalur tek elementët stilistikë të veprës ajo tha “jeni tepër i saktë Z.Bashkim nga ato çfarë shkruani. Romani ka një skicë të përcaktuar, të përllogaritur dhe me ligjërim të përpiktë. Është tipike e juaja përdorimi i paratekstit, i cili sipas rastit mund të jetë një sintezë e të gjithë ngjarjes, që mbërthen kapitulli apo një shprehje e një autori.”

I pranishëm në promovimin e librit të Hoxhës dhe një mik i vjetër i autorit, ish-presidenti Bamir Topi tha për “DurrësLajm” se e sheh këtë libër si një mundësi që kushdo të rrisë dimensionin e tij kulturor.

A do të jetë një roman për lexuesin e lëçitur apo një vepër që u flet të gjithëve? Romancieri Bashkim Hoxha shpreson të jetë kjo e fundit.

I strukturuar si një roman me episode, në krye të secilit është një citat nga autorët botërorë dhe me personazhe që të risjellin në mendje heronjtë e letërsisë antike e klasike, romani “Një shaka e vogël me vdekjen” i Bashkim Hoxhës unifikon në vetvete ekzistencializmin e secilit prej nesh dhe përcjell disa mesazhe të rëndësishme që i flasin të gjitha kohërave dhe mbeten aktuale kurdoherë.

Të pranishëm në promovimin e romanit të ri të Hoxhës ishin ministrja e Shtetit për Standartet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, deputetë dhe ish-deputetë të qytetit bregdetar, shkrimtarë dhe artistë si dhe dashamirës të librit.

M.B.