Kryetari i Partisë Demokratike, dega Durrës, Ferdinand Xhaferaj ka vizituar banorët e rrugës “Shkumbini” në zonën e ish-Kënetës, të cilët prej ditës protestojnë për projektin e rikonstruksionit të këtij aksi.

Xhaferaj e quajti skandaloz një rast të tillë, një vjedhje abuzive.“Rruga bëhet që t’iu shërbejë banorëve, nuk bëhet që të vjedhë bashkia”, u shpreh Xhaferaj ndërsa tha se shembja e mureve rrethuese apo dhe banesave është një formë hakmarrje ndaj banorëve që votuan Partinë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit.

“Kjo është babëzi e pushtetit, nuk janë ulur ta trajtojnë me banorët si problematikë për të punuar siç duhet dhe qëndron hakmarrja nga ana e bashkisë pas humbjes së thellë në këtë zonë.”, vijoi më tej ai.

Nga ana tjetër, banorët shprehen prej ditësh kanë ngritur shqetësimin e tyre por askush nuk i merr parasysh.

Ata përsërisin kërkesën e tyre që kanali të mos mbyllet me rërë deti por me materialet e nevojshme që mos të rrezikohen banesat nga përmbytja dhe të zhvendosen shtyllat elektrike që mos të shemben muret rrethyese apo shtëpitë e tyre.

“Na është dashur një jetë për ta ndërtuar, sot po na e shkatërrojnë.”, shprehet një banor.