Nga Mila Ballhysa

Me historinë 3000-vjeçare, klimën mjaft të përshtatshme, diellin dhe detin që aq bujarisht natyra ia ka falur, Durrësi mbetet shumë tërheqës për turistët e huaj.

Sezoni turistik i këtij viti është ndoshta më i miri që qyteti bregdetar ka pasur. Po ndërsa ne, banorët e tij, shpesh nuk vlerësojmë aq sa duhet potencialin e qytetit, në sytë e turistëve të huaj ai është vërtet magjepës.

Këtë na e dëshmuan turistët nga shumë vende të botës, që nuk ngurojnë të na pohojnë se do të rikthehen sërish.

“I dashuroj njerëzit këtu. Shpirti i tyre është i mrekullueshëm, kanë një energji pozitive. Gjithsekush transmeton ngrohtësi”.

“Do ishte bukur të rikthehesha dhe të shihja sesi kanë ndryshuar gjërat. Vendi është tani në gjysmën e zhvillimit ekonomik dhe social”.

“Pashë amfiteatrin, muret e kalasë, godinat historike. Antikiteti më tërheq shumë. Me siguri që do të vi sërish, kam ende shumë gjëra dhe vende për të parë këtu te ju”.

Arjana Hysa, menaxhere e agjencisë turistike “Dea Lines” ka shoqëruar me qindra turistë në vizitat një apo disa ditore në Durrës. Përshtypja e marrë prej tyre është shumë e mirë.

“Mikpritja dhe ushqimi u pëlqejnë shumë. Muzetë, kështjellat që ne u tregojmë, historia dhe trashëgimia kulturore i tërheqin. Ky është feedback-u që ne marrim prej tyre”,- thotë ajo për “DurrësLajm”.

Për shumë nga të huajt, Shqipëria mbetet ende një vend pak i njohur, madje nuk mungojnë dhe stereotipet negative për të. Por gjithçka ndryshon kur turistët vijnë këtu dhe e shohin nga afër vendin tonë. Në atë moment, perceptimi ndryshon totalisht.

“Njerëzit kanë shumë kureshtje të mësojnë mbi Shqipërinë, sepse dinë shumë pak. Ishit një vend i mbyllur për botën, ishit mister për shumë njerëz. Ja pse shumë pasagjerë të krocerave e vizitojnë vendin tuaj. Unë u flas pasagjerëve për historinë e Shqipërisë, pushtimet nga të huajt, qeverisjen e vendit nga Enver Hoxha. Është kaq bukur që tani jeni një vend i hapur”,- thotë guida e turistëve amerikanë që kanë zbarkuar në Durrës me kroçerën “Seven seas yoyager”.

“Ne kemi disa stereotipe për Shqipërinë në Lituani; që nuk është një vend i sigurt, nuk jeni shumë miqësorë, kudo është mafia. Kur vijmë këtu, çdo gjë ndryshon dhe njerëzit bien në dashuri me këtë vend. Unë dua të vi çdo vit këtu, t’ua prezantoj bashkëkombasve të mi vendin tuaj. Këtu është si parajsë, e ardhmja do të jetë shumë e mirë për turizmin”,- na tregon një tur-operatore nga Lituania.

Peshën e turistëve të huaj në Durrës këtë vit e mbajnë polakët. Për ta, vendi ynë ishte destinacioni nr.1 këtë verë.

“Shqipëria është nr.1 për turistët polakë. Përshtypjet e turistëve janë shumë të mira, ata kënaqen shumë këtu. Nuk prisnin një vend me kaq shumë histori, me një klimë kaq të mirë. Atyre u pëlqen shumë”,- thotë një tur operator nga Polonia.

E duket se dashuria e polakëve për Durrësin do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ditë më parë, 30 përfaqësuesit e agjencive më të mëdha turistike në Poloni u takuan në bashki me kryetaren Emiriana Sako.

“E kam njohur delegacionin polak me potencialin ekonomik e turistik të qytetit tonë si dhe llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik e kulturor. Këto agjenci do të vijojnë më pas me promovimin e Durrësit në Poloni gjë që do të reflektohet në një shtim të konsiderueshëm të turistëve polakë vitin e ardhshëm”,- shkruan në një postim në rrjete sociale kryebashkiakja Sako.

Katerina Kyriakopoulou, menaxhere e zinxhirit hotelier me 5 yje “Best Western”, ka ardhur këto ditë në Durrës për një trajnim të stafit të hotel “Adriatik”. Ajo është shpresëplotë për zhvillimin e turizmit elitar në të ardhmen.

“Ju e shihni si ka ndryshuar Durrësi vitet e fundit. Ju patët një verë shumë të ngarkuar. Po, Durrësi ka potencial për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit elitar në të ardhmen”.

Po ndërsa qyteti bregdetar po mirëpret turistët e fundit të huaj për këtë sezon, që në Durrës shënoi një rekord prej rreth 1 milion vizitorësh, autoritetet duhet të nisin përgatitjet për sezonin e ardhshëm.

Krahas bukurive natyrore dhe trashëgimisë së pasur kulturore, Durrësi ka edhe gjëra që duhet t’i përmirësojë për të vazhduar të mbajë fronin e qytetit lider për turizmin në Shqipëri.

“Një banjo publike në amfiteatër duhet patjetër, sepse turistët vijnë dhe shpesh kërkojnë tualete. Ne detyrohemi t’i shpërndajmë nëpër lokale e bare. Janë shumë lypësa në qendër. Kjo u tërheq vëmendjen turistëve sepse i shohin si të pastrehë. Janë disa problematika që nuk zgjidhen për një ditë, por e rëndësishme është që patëm një sezon të mbarë, prandaj duhet t’i shohim gjërat me pozitivitet”,– thotë Arjana Hysa.

“Duhet të kujdeseni më shumë për sitet arkeologjike. Duhet të investoni më shumë para, sepse keni kaq shumë vende për të ekspozuar, por nuk janë ekspozuar në mënyrën e duhur”,- thotë tur-operatorja nga Lituania.

Pas një sezoni të suksesshëm veror, operatorët turistikë, strukturat hoteliere dhe ato shtetërore nisin punën për përgatitjet për verën e ardhshme dhe pse jo, për ta bërë Durrësin të vizitueshëm në 365 ditë të vitit.