Megjithëse qeveria Rama miratoi javën e kaluar fondin 800 milionë lekë për subvencionimin e pagesave të qirasë për familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës, qytetarët durrsakë janë ende në pritje të kalimit të parave.

Që nga muaji gusht, me qindra familje nuk kanë marrë bonusin e qirasë, ndërsa ngrenë shqetësimin se pronarët e banesave ku rrinë me qira mund t’i nxjerrin jashtë.

Të shumtë janë qytetarët që kontaktojnë me redaksinë e “DurrësLajm” për të ngritur këtë shqetësim të tyrin, që jo pak herë e kemi trajtuar në shkrime të veçanta përgjatë këtyre 23 muajve pas tërmetit.

“Pershendetje! Qytetaret e Durresit qe aktualisht u  jan demtuar shtepite nga termeti i 26 nentorit 2019 dhe rezultojn me demtime te shkalles DS4 dhe DS5 nuk kan mare bonusin e qerase qe prej muajit gusht. Pra 3 muaj”, shkruan një qytetare në denoncimin e saj, ndërsa ngre edhe shqetësimin e ecurisë së ngadaltë të procesit të rindërtimit në qytetin bregdetar.

Pak ditë më parë, banorët e një pallati në lagjen nr.12, gjatë protestës së tyre para bashkisë për ndërprerjen e punimeve për riforcimin e godinës, ngritën zërin edhe për mos kalimin e bonusit të qirasë.

Të indinjuar, shumë qytetarë paraqiten çdo ditë pranë bashkisë për të marrë informacion lidhur me kalimin e parave, por ecejakjet e tyre prej më shumë se dy muajsh prodhojnë vetëm lodhje nervash dhe zhgënjim.