Edhe pse jemi në sezonin e qershive në markatën e fruta perimeve në Durrës ky frut varion nga 3500-7000 lekë të vjetra kilogrami.

Për pensionistët, ky çmim është thuajse i papërballueshëm dhe ka nga ata që nuk e kanë provuar qershinë këtë sezon. Por nuk është vetëm qershia, i vetmi produkt që pensionistët mendohen dy herë para se ta blejnë.
“Nuk kam blerë qershi, sepse jam pensionist! Me çfarë ta blej, unë marr 190 mijë lekë në muaj”.
“Ne po vdesim nga çmimet, nuk jetojmë dot me këto çmime! Ja çfarë po ble unë sot, 3 speca të kuqe, 3 speca të verdhë!”

Megjithëse në treg dominon produkti vendas, çmimet nuk janë ulur shumë dhe nuk parashikohet ndonjë ndryshim drastik në çmime në javët dhe muajt në vijim thonë tregtarët.
“Normale që janë çmimet e larta, janë produktet e para të sezonit. Nuk ka abuzim nga ne dhe as nga tregtarët e shumicës. Disa nga pensionistët nuk arrijnë t’i përballojnë këto çmime. Me ato pensione që kanë nuk i provojnë dot frutat”.
“Kur një mall mungon në treg apo ka pak, normal që çmimi ngrihet. Kur ka mall me shumicë, çmimi detyrimisht bie”.

Me nivelin aktual të pensioneve, mosha e tretë është grupmosha që vuan më së shumti rritjen e ndjeshme të çmimit të produkteve të shportës. Megjithëse markata e Durrësit është e mbushur me fruta e perime të shumëllojshme, fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, edhe për shkak të largimit masiv të popullsisë, sidomos fuqisë aktive për punë.
M.B.