Qeveria shqiptare pritet të japë me koncesion tek privati shërbimin e operimit të trenave në linjat hekurudhore.
Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me programin Connecta 2, që financohet nga Bashkimi Europian, janë duke shqyrtuar disa propozime për t’ia kaluar privatit shërbimin e trenave të pasagjerëve në rrjetin hekurudhor shqiptar. Vendi ynë po përafron politikat e saj të transportit me BE-në si pjesë e procesit të anëtarësimit.
Lajmin e jep revista britanike Railway Gazette International, e cila në një shkrim të saj thotë se shërbimet e pasagjerëve do të operojnë kryesisht në korridorin Durrës – Tiranë – Rinas, me shtrirje të mundshme në të ardhmen në Hanin e Hotit në kufi me Malin e Zi dhe Pogradecin në kufi me Maqedoninë e Veriut.
Operatori i përzgjedhur i trenit pritet të furnizojë dhe mundësisht do të mirëmbajë mjetet lëvizëse të reja, të përdorura ose të dhëna me qira, dhe gjithashtu mund t’i kërkohet të mbledhë tarifat e biletave të udhëtimit.
Kohëzgjatja e kontratës dhe modeli i shpërblimit do të përcaktohen bazuar në rezultatin e konsultimit të tregut, duke marrë parasysh periudhën e funksionimit së mjeteve lëvizëse, kostot e mobilizimit dhe nevojën për të siguruar një tender konkurrues, shkruhet më tej në artikullin e medias britanike.

Punimet në hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, një projekt që po realizohet prej disa vitesh në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ende nuk janë përmbyllur.
Tenderi për dhënien me koncesion të trenave pritet të zhvillohet në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa operacionet parashikohen të fillojnë në tremujorin e tretë 2026.