Nga BUJAR QESJA

E kisha ruajtur prej kohësh këtë foto dhe pritja momentin e përshtatshëm për ta bërë publike. 12 shtatori i vitit 2021, është ditëlindja e Enver Plakut. E kam njohur Verin aq sa nuk mbahet mënd. Mosha prej 11 vitesh më i ri, nuk më ka penguar të ecë në një paralele me punën e tij. Në vitin 1975 punoja në Këshillin e Bashkimeve Profesionale të Rrethit dhe si instruktor mbuloja kresisht kulturën dhe pallatin “Rinia”. Enver Plaku punonte si regjisor në pallatin e kulturës së qytetit dhe kishte bërë famë. Një burrë shumë simpatik, shtatlartë, shumë energjik. Edhe të folurën e kishte tërheqëse, m’u sikur po luante në skenë. Dhe këtu kemi bashkpunuar.

Jeta e tij është interesante. E filloi punën si revizor, pasi kishte mbaruar shkollën e mesme ekonomike. Edhe studimet e larta i filloi në fakultetin ekonomik. Kërkesat në shkollën e lartë për aktorë ishin të mëdha dhe Enver Plaku, si pasojë e insistimit të mikut tonë të paharruar Kujtim Spahivogli, ndërpret studimet për ekonomik për të filluar shkollën e lartë për aktrim. Është i pari që në skenën e Teatrit Kombëtar luan tragjedinë e njohur të Shekspirit Romeo dhe Zhuljeta. Enver Plaku kreu studimet së bashku në një kurs me emra të tillë të famshëm si Rikard Ljarja, Reshat Arbana, Vaçe Zela dhe Haxhi Rama etj. duke patur si pedagogë figura të nderuara të teatrit shqiptar Pandi Stillu, Kadri Roshi dhe Lazër Filipi. Edukimit si aktor dhe regjisor i falet vlerave të Sulejman Pitarkës, Marie Logorecit, Pjetër Gjokës, Violeta Manushit etj.

Shkolla e fortë e aktrimit shqiptar, kultivoi tek Ver Plaku cilësitë pikante të regjisurës dhe të vlerave aktoreske. Në vitin 1966 bëri bujë në Durrës emërimi i Enver Plakut, si regjisor i pallatit të kulturës. 17-18 vite këtu, ishin një shkollë e madhe pune dhe përvoje, por edhe një rritje e pabesueshme e vlerave të kulturës dhe artit durrsak. Ishte ky Enver Plaku që nisur nga Durrësit e mbaruar në Rrogozhinë, që tundi të gjitha fshatrat, duke dhënë shkëndija të fuqishme të zhvillimit të kulturës.

Në kohën e Enver Plakut lulëzuan të gjitha gjinitë e kulturës masive, duke e renditur Durrësin në pararojë të lëvizjes masive dhe amatore në Shqipëri. E kësaj kohe është vënia në skenë e operas gjigande “Bijtë e Skëndërbeut”. Çfarë pune! Sa festivale, olimpiada, konkurse, konkurime në shkallë kombëtare etj. etj. janë vënë kur ishte regjisor Enver Plaku! Çfarë autoriteti! Çfarë prestigji mbuloi artin dhe kulturën durrsake, kur drejtonte punën Enver Plaku!

Në kohën kur tetarit kombëtar nëpërmjet Pirro Manit, kërkonte të emëronte si regjisor të tij Enver Plakun, organet e pushtetit në Durrës nuk e lejuan duke e vendosur në teatrin vendas “A. Moisiu”. Profesionisti Enver Plaku ishte shumë i domosdoshëm për kulturën durrsake. Pjesët tetarale të vëna në skenë nga Enver Plaku, shënojnë një rritje në biografinë e njërit prej teatrove më të njohur në vënd. “Shtëpia në Bulevard”, “Cuca e Maleve”, “Familja e Peshkatarit”, “Fytyra e Dytë”, “I sëmuri pa mend”, “Telefon në mesnatë”, “Lindja e një burri”, “3 Ditët e qametit”, “Pas heshtjes” etj. Ndërsa si aktor në teatër dhe kinematografi ka bërë për vete shikuesin me “Romeo dhe Zhuljeta”, “Operacioni Zjarri”, “Asgjë nuk harrohet”, “Balada e Kurbinit”, “Goditja”, “Zëvëndësi i grave” dhe “Heronj të heshtur”.

Enver Plaku mbetet një figurë qendrore e artit dhe kulturës durrsake. Puna e tij është gjigandeske. Vullneti, pasioni, mjeshtria në komunikim, intuita e pazakontë si regjisor dhe niveli i arrirë si aktor, e bëjnë Enver Plakun, një”plak” të mënçur të kulturës dhe teatrit durrsak dhe filmit. Vitet e fundit Ver Plaku drejtoi Qendrën Kulturore të Durrësit. Duke qenë i datëlindjes 12 shtator 1939, me 2 shkurt 2002 ai del në pension, duke mbetur protogonisti i përhershëm i kulturës dhe teatrit durrsak.

Koiçidenca me këtë mik dhe shok të miri timin, vjen si e rastësishme por e argumentuar. Në vënd të Enver Plakut emërohet një emër i njohur jo vetëm i gazetarisë, por edhe i artit dhe kulturës durrsake. Bujar Qesja kishte punuar më parë me kulturën e qendrave të punës dhe prodhimit të Durrësit, me pallatin “Rinia” edhe si drejtor i tij, si drejtor i pallatit të kulturës Sukth, si drejtues i kulturës në Spitallë etj.Veç kësaj ai ishte i spikatur, në drejtimin e të gjitha veprimtarive qendrore që organizonte dhe organizon Bashkia e Durrësit.

Me Verin na lidhi një miqësi në esencë kulturën, edukatën dhe tolerancën e njohur durrsake. Takojmë thuajse përditë dhe kujtojmë kohët e arta të zhvillimit të kulturës dhe artit, miq dhe shokë që nuk janë, kolegë dhe të respektuar të tjerë që i kanë dhënë shumë këtij Durrësi, duke ia zbardhur faqen e duke ia ngritur rryben.

Në këtë ditë të 12 shtatorit 2021, ditë në të cilën Enver Plaku mbush 82 vjeç, i shpreh urimet më të ngrohta për jetë të begatë, e shëndet të fortë. Portrete si Enver Plaku na bëjnë nder edhe thjesht ti shikojmë, e jo më të ulemi e të bisedojmë me to.

Qofsh gjithnjë pranë nesh Enver Plaku!