Kishin vënë muzikë të lartë, gjatë natës, në 3 lokale në lagjen nr.1 në Durrës, dhe si pasojë prishën qetësinë publike dhe shqetësuan banorët, procedohen penalisht 3 administratorë.

Gjatë aksionit policor janë sekuestruar edhe disa pajisje që gjeneronin muzikë në cilësinë e provës materiale.

“Si rezultat i reagimit të menjëhershëm për disa kallëzime të qytetarëve, se në lokale të ndryshme, në lagjen nr. 1, vihej muzikë në tejkalim të nivelit dhe të orarit të përcaktuar, shkelje e cila përbënte shqetësim për ta, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën dhe kanë ndërhyrë menjëherë në 3 lokale, për të ndaluar vijimin e kësaj paligjshmërie.

Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 administratorët e këtyre lokaleve, shtetasit E. H., 35 vjeç dhe K. Gj., 32 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe për shtetasin P. M., 43 vjeç, banues në Tiranë”,- njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

.