Sot është dita e prezantimeve finale të Konkursit Ndërkombëtar për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu”.

Pas një gare që mblodhi 41 ekipe shqiptare dhe ndërkombëtare, sot 5 ekipet finaliste prezantojnë vizionet e tyre për Kampusin e Ri Universitar të Durrësit, një projekt që synon të krijojë një hapësirë të madhe e të bukur, ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore ndërthuren në një ekosistem të vetëm zhvillimi njerëzor e social.

I pranishëm në kampusin e Durrësit ndodhet edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, kryebashkiakja Emiriana Sako etj.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se konkurse të tilla pasqyrojnë ambicien e qeverisë për Shqipërinë dhe krijojnë mundësi të jashtëzakonshme për komunitetin. Ai e cilësoi këtë nismë si universitetin më të madh në Europë të hapur ndaj zhvillimit urban, ku profesionistët vendas mund të ballafaqojnë dijet e tyre me studiot që janë pararojë në botë.

“Konkurse të tilla janë ambicie e jona për Shqipërinë dhe prej të cilave lindin mundësira të jashtëzakonshme për zhvillime. Ndryshojnë edhe mënyrën e të parit të vetes dhe të ardhmes së një komuniteti. Kemi krijuar universitetin më të madh në Europë, të hapur të zhvillimit urban. Është një universitet i hapur në kuptimin e plotë të fjalës, sepse u jep mundësi të gjithë atyre që i janë përkushtuar arkitekturës dhe zhvillimit urban, të ballafaqojnë dijet e tyre me arkitektët dhe studiot që janë pararojë e zhvillimeve urbane në botë. Është një projekt shumë i madh dhe ambicioz.”

Sipas kryeministrit, ky kampus është një tjetër rezultat konkret i protestës së studentëve të vitit 2018, e cila solli fillimisht përmirësime në konvikte e laboratorë. Tashmë, procesi po kalon në një shkallë më të lartë përmes krijimit të një zone të re rezidenciale që garanton strehim më të arsyeshëm dhe socializim për të rinjtë.

Finalistët janë:

🔹 51N4E + Jeshile

🔹 Bjarke Ingels Group (BIG) + Kristo Krisiko + Architevo Design Collective + Embrace IDEAS + Rider Levett Bucknall + HSC Studio + Ergys Çaushi

🔹 FRPO Rodriguez & Oriol + Porras & La Casta Arquitectos + Studio B&L + Agim Seranaj + Adrian Paci

🔹 OZ + iRI shpk + Felixx Landscape Architects & Planners + Studio Sabine Marcelis + BUROMILAN Milan Ingegneria

🔹 Practica + Studio Rebus + Studio de Peisaj Ana Horhat.