Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim paraditen e sotme në Durrës, nga ku deklaroi se përgjatë gjithë vijës bregdetare do të vendoset një çmim unik për naftën për peshkatarët. Sipas Ramës, të gjithë furnitorët e naftës për peshkimin do ta kenë çmimin njësoj me tavan dhe kjo ka për t’u realizuar brenda javës. Kreu i qeverisë theksoi se kush do të bëjë lëvizje me çmimin do të detyrohet pastaj të dorëzojë depozitat.

“Kjo çështja e një loje të çmimit të naftës që bëhet këtu në portin e Durrësit do të mbarojë, do të vendoset një çmim unik tavan, për të gjithë peshkatarët në të gjithë vijën bregdetare, i detyruar dhe askush nuk ka për të bërë dot asnjë qindarkë lëvizje nga ai, por do t’i shërbejnë peshkatarëve, kësaj industrie pa asnjë lëvizje nga çmimi i detyruar tavan, sepse nuk ka këtu vend për të bërë lodra dhe aq më pak pastaj ka vend për të nxjerrë fitime nga djersa juaj edhe nga mundimet tuaja duke bërë xhibla me furnizimin. Nuk është fare e drejtë dhe nuk do ta lejojmë që të ketë dallim mes një furnitori, një tjetri në portin e Durrësit. Të gjithë furnitorët e naftës për peshkimin do ta kenë çmimin njësoj, me tavan, të vendosur nga ministria e Bujqësisë dhe nga Qeveria. Kjo do të bëhet dhe do të bëhet brenda kësaj jave. Kush do të bëjë lëvizje nga ky detyrim do të detyrohet pastaj të dorëzojë depozitat”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, peshkimi ka një potencial të jashtëzakonshëm.

Peshkimi sipas projeksioneve tona duhet ta kapë patjetër tavanin e 200 milionëve dhe ta kalojë dhe kjo është e mundur. Kjo kërkon, e para që ne të lehtësojmë çdo lloj peshe në aspektin burokratik, siç kemi bërë, edhe falë faktit që kemi një dialog të vazhdueshëm me ju dhe jemi vazhdimisht nën presionin e kritikave tuaja”, u shpreh Rama.