Kryeministri Rama ka publikuar në rrjete sociale dy foto nga siti i ri i banesave që po ndërtohen në Manëz për qytetarët e mbetur të pastrehë 2 vite më parë, nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.  

“Për pak optimizëm në këtë ditë të nisur fare mbrapsht me dy lajme të rënda, ky është blloku i ri i banimit që edhe pak bëhet gati për familjet që humbën shtëpitë në Manëz të Durrësit”, – shkruan Rama.

Kompleksi i banimit përbëhet nga 9 pallate që po ndërtohen, ndërsa 42 apartamentet e para, për ndarjen e të cilëve u hodh shorti në bashki një javë më parë, do të dorëzohen në muajin dhjetor.

Ndërsa në Manëz, procesi i rindërtimit të pallateve ka ecur me ritme të kënaqshme, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për qytetin e Durrësit, ku vetëm 2 pallate pritet të dorëzohen brenda këtij viti. Në shumë nga pallatet e shembura, që do të ndërtohen në po të njëjtin vend, nuk ka nisur ende procesi i rindërtimit.

Ndërkohë në bllokun e ri të banimit që pritet të ndërtohet në Spitallë, punimet janë ende në fazën e infrastrukturës dhe asnjë pallat nuk ka nisur të “hedhë shtat”.