Partia Demokratike në Durrës ka reaguar pas denoncimit të bërë nga emisioni “Piranjat”, lidhur me një landfill të paligjshëm të krijuar në fshatin Hardhisht. Sipas denoncimit, ky landfill është ngritur me bashkëpunimin e Bashkisë së Shijakut dhe një firme private me emrin AMR, ku dyshohet se depozitohen dhe groposen mbetjet urbane të qytetit.

Në një deklaratë për mediat, kandidatja e Partisë Demokratike në Durrës, Jola Hysaj, akuzoi kryetarin e Bashkisë Shijak, Elton Arbana, se po vepron në shërbim të grupeve kriminale dhe se ka lejuar një “masakër mjedisore” në këtë zonë.

Partia Demokratike ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të SPAK për hetimin e një tenderi me vlerë 2 miliardë lekë të dhënë nga Bashkia Shijak për depozitimin e mbetjeve.