Mbi 40 mijë shtetas shqiptarë kanë regjistruar adresën e banimit në më pak se dy muaj që nga nisja e fushatës së ndërgjegjësimit prej Ministrisë së Brendshme.

Qytetarët kanë shfrytëzuar të dyja mënyrat për kryerjen e këtij procesi: nëpërmjet portalit “e-Albania” ose duke u paraqitur vetë në zyrat e Gjendjes Civile të bashkisë ku banojnë. Po kështu, një numër i konsiderueshëm i atyre që e kanë regjistruar janë gjithashtu shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Pesë bashkitë me numrin më të lartë të banorëve që nuk kanë përditësuar adresën janë sigurisht qendrat e mëdha urbane të vendit ku është përqendruar edhe popullsia më e madhe: Tirana, Durrësi, Elbasani e Vlora e Shkodra. Gjatë këtij procesi të vetëdeklarimit të adresës që do të vijojë përtej fushatës, një rol aktiv luajnë edhe vetë bashkitë duke nxitur e kontaktuar qytetarët që të saktësojnë adresën e tyre të banimit.

Të pasurit të një adrese të saktë banimi përveç orientimit më të lehtë sjell dhe akses në shumë shërbime publike që ofrohen online, si shërbime të gjendjes civile, shërbime postare dhe shërbime të ndryshme publike.