Në 3 muajt e sezonit turistik dhe 11 ditët e para të shtatorit, Durrësi ka regjistruar një numër rekord pushuesish. Referuar të dhënave zyrtare të Prefekturës, në rrethin e Durrësit kanë pushuar përgjatë verës rreth 500 mijë pushues.

“Kemi një rekord të ri përsa i përket hyrje-daljeve në rrethin e Durrësit. Kjo padyshim ka ndikuar në të gjitha aspektet e tjera përsa i përket kapilarëve të turizmit në këtë qark”,– thotë për “DurrësLajm” Oltsen Gripshi, specialist për turizmin në Prefekturën e Qarkut Durrës.

Trendi mjaft pozitiv i kësaj vere po refektohet edhe përgjatë muajit shtator, pasi shumë nga strukturat hoteliere po punojnë me kapacitet të plotë deri në javën e parë të tetorit. 

“Sezoni ka qenë shumë i mirë këtë vit, ka pasur një rritje prenotimesh prej 20-30%. Ne jemi të prenotuar deri javën e parë të tetorit falë turizmit të organizuar”,- na rrëfen Albulen Ndrepepaj, menaxher i përgjithshëm në “Grand blu Fafa resort & spa”.

Fluksi mjaft i lartë i turistëve të huaj që kanë vizituar Durrësin përgjatë këtij sezoni pasqyrohet edhe në shifrat zyrtare të hyrje daljeve në portin më të madh në vend. Referuar shifrave zyrtare, 207.002 shtetas shqiptarë kanë kaluar përmes pikës kufitare në portin e Durrësit, kundrejt 291.897 shtetasve të huaj, ose ndryshe 42%, kundrejt 58%. 

“Dikur kanë qenë shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që mbanin vendin e parë në këtë check list përsa i përket turistëve të huaj që frekuentojnë plazhin e Durrësit, por këtë vit është për t’u theksuar suksesi i jashtëzakonshëm i turistëve pothuajse nga të gjitha vendet e Evropës, por edhe përtej”,– thotë specialisti Gripshi.

Sektori i turizmit ka sjellë nivel rekord të ardhurash në ekonomi shqiptare në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave tregojnë se, në këtë periudhë, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në vendin tonë arritën në total 1.55 miliardë euro.

M.B.