Në muajin korrik nisën punimet për rikonstruksionin e tregut agroushqimor të Durrësit, punime që u pritën me protesta nga tregtarët, të cilët nuk ishin dakort me vendin e propozuar nga bashkia për të ushtruar aktivitetin derisa të përfundonin ambientet e reja.

Ditën e sotme, operatori i “DurrësLajm” ndoqi nga afër punimet për rikonstruksionin e të vetmit treg agroushqimor të shitjes me pakicë.

Përveç punimeve nëntokësore që janë realizuar tashmë dhe puna po vijon me ngritjen e strukturave metalike, por ende nuk ka nisur mbulimi i tregut.

Vendi rreth e rrotull kantierit të ndërtimit është i mbushur me shitës ambulantë, që vazhdojnë të tregtojnë produktet ushqimore në kushte të papërshtatshme.

Rreth 277 tregtarë presin t’i rikthehen aktivitetit tregtar sa më shpejt, sepse pjesa më e madhe e tyre ka mbetur pa punë prej rreth 4 muajsh. Tregu parashikohet të vihet në funksion javët e para të nëntorit, por nga ajo që shihet me sy të lirë nga punimet që po realizohen aty nuk është ende e qartë nëse kompania e ndërtimit do t’i mbyllë punimet brenda afatit të përcaktuar në kontratë. Njëkohësisht në kantierin e ndërtimit mungon tabela me afatin e nisjes dhe përfundimit të punimeve, vlerën e investimit etj.

Bashkia e Durrësit planifikoi në buxhetin e këtij viti rikonstruksionin e tregut, i cili prej vitesh ishte në gjendje të degraduar dhe kishte nevojë për ndërhyrje urgjente.

Krahas rikonstruksionit të rreth 5000 metra katrorë ndërtim, kryebashkiakja Emiriana Sako ka premtuar se për secilin tregtar do të ketë bankinë të re për të mundësuar kështu një tregtim të produkteve agroushqimore në kushte komode dhe brenda standarteve të kërkuara higjenike.