Komedia e sukseshme dhe mjaft e dashur për artdashësit “Boeing Boeing” do të rikthehet në Durrës, këtë herë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

“Boeing Boeing” shfaqja më e suksesshme teatrore e 30 viteve të fundit në datat 11 dhe 12 shtator do të zbresë në teatrin e Durrësit në orën 19.00 të mbrëmjes. Në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katerina Fili.

Kjo komedi është një shfaqje teatrore e rajonit Durrës-Lezhë dhe me shumë sukses është dhënë më parë në sallat e teatrove në Durrës (në arenën e Amfiteatrit Antik), Elbasan, Fier, Tiranë, Shkodër dhe Korçë, duke korrur sukses në çdo skenë që është shfaqur për publikun.

Vepra vjen e përkthyer në shqip nga Nasi Lera, nën regjinë e Kiço Londos.

VEPRA NË SKENË:

Ngjarjet ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert.

Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbej dy çmime, Tony Award në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit.