Rikualifikimi i dy hapësirave publike pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve i ka lënë të kënaqur qytetarët.

Për ta, ky investim ishte i domosdoshëm, sepse katrahura urbane që është bërë ndër vite në Durrës, e ka lënë qytetin me shumë pak hapësira, ku qytetarët të kalojnë kohën e lirë.

“Shumë bukur është bërë, kanë bërë punë të mirë, por të na shtohen edhe më shumë hapësirat publike”,- thotë një qytetar.

“Ne i kemi rritur fëmijët në ambiente të hapura, te Vila e Zogut. Tani ka pak hapësira. Është e domosdoshme që lulishtet të shtohen”,– deklaron një pensioniste.

“Pak hapësira ka,- thotë një qytetar,- por këto që janë bërë janë shumë të mira”.

Rikualifikimi i hapësirave publike në qytet ka pasur zakonisht një jetëgjatësi të shkurtër, pasi ato janë zënë sërish nga bizneset private.

Prandaj qytetarët kërkojnë që këto lulishte të ruhen në formën që janë sot dhe ndërkohë apelojnë për më shumë ndërgjegjësim edhe nga vetë banorët.

“Duke parë këtë gjë të bukur, mendoj se dhe njerëzit do ta mbajnë bukur”,- thotë një qytetar.

Ndërkohë një banor i zonës është i bindur se “këto hapësira do të vazhdojnë gjatë të qëndrojnë në formën aktuale”.

Aksioni për lirimin e 2 hapësirave publike pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve nisi në mesin e muajit shtator të vitit të kaluar dhe nga ai u prekën 23 subjekte private.  

Me rikualifikimin e lulishteve tek Stacioni i Trenit dhe Mauzoleumi i Dëshmorëve, bashkia Durrës synonte kthimin e këtyre hapësirave ne funksion të qytetarëve, krijimin e hapësirave rekreative dhe rijetësimin e zonës përreth duke shtuar gjelbërimin si dhe këndet e lojërave.

M.B.