Më 26 nëntor 2019 ishte ndër lagjet më të dëmtuara nga tërmeti.

2 vite më pas, realiteti në lagjen nr.18 nuk ka ndryshuar shumë. Më pak pallate dhe më shumë sheshe ndërtimi për godinat që presin të rindërtohen.

Në fillim të javës, lagjja “humbi” një tjetër godinë, që Instituti i Ndërtimit e vlerësoi që duhej shembur me anë të një akt ekspertize të thelluar.

Mjetet e rënda kanë nisur punën për largimin e grumbullit të inerteve nga godina 8 katëshe, e shembur me shpërthim të kontrolluar.

Po ndërsa ky pallat tashmë pret të rindërtohet në po të njëjtin vend, fati i disa godinave të tjera është i paqartë. Në pallatin nr.786, banojnë disa familje, megjithëse godina është shpallur e pabanueshme. Banorët ende nuk dinë nëse do të shembet apo riforcohet.

Në pamundësi për të përballuar qiranë e banesave sepse bonusi nuk kalon prej 3 muajsh, qytetarët janë kthyer në godinat e rrezikshme.

“Se dimë ende. Thonë do vijmë të bëjmë punimet e jashtme, do bëjmë përforcim tek themeli, do rregullojmë hyrjen. S’kanë bërë asgjë deri tani” – thotë një familjar që banon aty, megjithëse godina nuk ofron siguri.

Por çfarë mendojnë banorët e lagjes për procesin e rindërtimit?

“Rregullime po bëhen. Disa gjëra po lëvizin, por pjesa më e madhe e atyre që janë dëmtuar ende nuk janë rregulluar. Njerëzit janë akoma me qira, nuk janë stabilizuar”,- thotë një qytetar për “DurrësLajm”.

Në disa nga godinat me dëmtime DS4 ka nisur tashmë riforcimi. Ky është një sinjal pozitiv për qytetarët që mezi presin të rikthehen në banesat e tyre.

Dy shkolla të mesme në këtë lagje presin të rindërtohen. Punimet nuk kanë nisur as tek “Naim Frashëri” dhe as tek “Bernardina Qerraxhia”. Për të tretin vit radhazi, nxënësit rrezikojnë që në shtator ta zhvillojnë procesin mësimor në shkolla pritëse.

Premtimi i qeverisë për përfundimin e procesit të rindërtimit në muajin shtator për banorët e lagjes nr.18 duket i vështirë për t’u mbajtur, megjithëse qytetarët shpresojnë.

“Këtu janë shembur 3 pallate, asnjë nuk është rindërtuar. Se kur do bëhen e vështirë ta thuash. Dëgjojmë që do bëhen, por të shohim”,- thotë një banor i lagjes.

“Njëcikë e vështirë, por nëse i japin forca mbase do bëhen”,- thotë një tjetër.

Mes pallateve që mbartin gjurmët e tërmetit, skelave të ngritura në godinat që po riforcohen dhe atyre ku nuk ka nisur rindërtimi, lagjja nr.18 në Durrës pret t’i rikthehet normalitetit.

M.B.