Lëvizja vullnetare River Cleanup Albania ka bërë një bilanc të punëve të kryera gjatë vitit 2021, ku janë shënuar gjithësej 28 aksione pastrimi e sensibilizimi si dhe janë mbledhur 100,100 kg mbetje e ngurtë kryesisht plastikë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale River Cleanup Albania ka falenduar të gjithë ata që kanë mbështetur dhe mundësuar aksionet e pastrimit në zonat e ndotura.

Ndërkohë, puna për vitin 2022 do të përqendrohet përgjatë Ishmit, bregdetit të Kepit të Rodonit, e deri në Patok, zona të mbrojtura, vendosjen e teknologjisë pranë lumit, riciklimin dhe përfshirjen e gjithë shkollave të bashkive ku kalon lumi në këtë projekt pilot-vullnetar- natyrëdashës me vepra të prekshme.

POSTIMI I PLOTË:

Në fundin e 2021, lëvizja vullnetare River Cleanup Albania shënon 28 aksione pastrimi e sensibilizimi, prej të cilave 22 janë përgjatë Ishmit, ku u mblodhën 100,100 kg mbetje e ngurtë kryesisht plastikë, mbledhur nga 2500 duar të vullnetarëve tanë nxënës të shkollave 9-vjeçare, gjimnazistë, studentë, mësues, pedagogë, por edhe të banorëve pranë lumit, akvistëve natyrëdashës, nga kompanitë e gjelbra që suportuan edhe me shërbime dhe financiarisht aksionet, nga qeveria lokale e qëndrore që suportuan tërheqjen e mbetjeve në aksionet e pastrimit, suportin e Shtëpisë së Europës nga vetë Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca, pjesëmarrjen në aksione pastrimi të Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, si dhe ish Ministres së Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale, Milva Ekonomi, suportin për ndërtimin e rrugës së grykëderdhjes së Ishmit vetë Deputeti i Ishmit, Jurgis Çyrbja, suportin e Prefektit të Durrësit, Roland Nasto, nënshkrimin e bashkëpunimit me Kryetaren e Bashkisë Durrës, Rektoren e UAMD-së dhe Zyrën Vendore Arsimore, ardhjen e River-Cleanup.org, për herë të parë në Shqipëri, Kevin De Backer dhe Ines Goovaerts.

#RiverCleanupAlbania me bazë në qytetin e Durrësit, e mbyll 2021 edhe me një ekspozitë lëvizëse edukuese të shkollave e komunitetit me 150 foto nga aksionet e pastrimit, një broshurë, dhe me plot 15 shkolla të Durrësit të aktivizuara në nismën vullnetare të projektit pilot të mbledhjes së sendeve plastike më shpesh të hasura në grykëderdhjen e Ishmit, ku deri tani 3 shkolla kanë magazinuar 220 kg plastikë PET, për të vijuar me riciklimin në diçka të dobishme për komunitetin.

Viti 2022 na pret me aksione pastrimi përgjatë Ishmit, bregdetit të Kepit të Rodonit, e deri në Patok, zona të mbrojtura, vendosjen e teknologjisë pranë lumit, riciklimin dhe përfshirjen e gjithë shkollave të bashkive ku kalon lumi në këtë projekt pilot-vullnetar- natyrëdashës me vepra të prekshme!

Së bashku me River-cleanup.org, ne po pastrojmë, edukojmë dhe transformojmë!🙌💙🌊🇦🇱🌍🚀