Pas rrëshqitjes së fundit të kodrës në zonën e Currilave, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, deklaroi se ndërhyrja për stabilizimin e saj kërkon një projekt të detajuar dhe fonde që tejkalojnë mundësitë financiare të bashkisë.

Sako tha se rrëshqitje të ngjashme kanë ndodhur edhe gjatë muajit janar, si pasojë e reshjeve të dendura, ndërsa Bashkia ka kërkuar mbështetjen e institucioneve përgjegjëse për kryerjen e analizave gjeologjike të kodrës.

“Para pak ditësh pati një rrëshqitje në zonën e Vilës, rrëshqitje që kanë ndodhur edhe më parë gjatë muajit janar për shkak të reshjeve. Kemi kërkuar mbështetjen e institucioneve për të bërë të mundur analizat gjeologjike të kodrës dhe hartimin e një projekti të detajuar, në mënyrë që më pas të kemi mundësi ta financojmë. Sigurisht që do të jetë një projekt shumë i rëndësishëm, me një vlerë të konsiderueshme, dhe besoj se nuk do të mund të mbulohet nga fondet e Bashkisë. Për këtë arsye do të kërkojmë mbështetje nga qeveria, por edhe nga fondet ndërkombëtare, pasi ka mundësi financimi edhe përmes fondeve të Bashkimit Europian për çështjet e mjedisit”, u shpreh Sako.