“Një nga rastet e fundit që unë kam trajtuar ishte ai i një gruaje 65 vjeçe, e cila vendosi që t’i jepte fund martesës me bashkëshortin e saj dhe pse ishte bërë gjyshe, për shkak të dhunës së ushtruar nga ana e burrit. Episodet e dhunës që ajo tregonte në momentin që mori vendimin për të zgjidhur martesën ishin episode të mbijetesës, të luftës për të jetuar”,- tregon avokatja Erisilda Shpata.
Divorcet në Durrës janë një fenomen i pranishëm edhe në bashkëjetesat shumëvjeçare, madje edhe në çiftet që tashmë janë bërë gjyshër dhe janë në etapën e tretë të jetës.
Dhuna në familje mbetet një nga shkaqet kryesore që i detyron këto çifte t’i drejtohen dyerve të gjykatës thekson avokatja Shpata, sidomos në këtë moshë. Shkaqe të tjera që shtyjnë shumë çifte t’i japin fund martesës janë problemet ekonomike, tradhëtia, emigrimi, abuzimi me pijet alkoolike apo varësia ndaj lojërave të fatit.
Ndarja mes çiftit, kur në mes janë fëmijët, bëhet edhe më e komplikuar. Sipas avokates Shpata, tek çiftet në moshë të re, shkuarja drejt divorcit nuk është diçka e lehtë për t’u pranuar, ndërsa shpeshherë të dy prindërit konfliktohen për kujdestarinë e të miturve.
“Inati që i shoqëron në momentin që merret vendimi fillestar për zgjidhjen e martesës e bën këtë proces më shumë konfliktual. Secila nga palët lufton për të marrë atë që i takon nga zgjidhja e martesës dhe kryesisht lufta më e madhe bëhet kush do të jetë prindi që do të mbajë fëmijën”,- thotë avokatja.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, në gjykatën e Durrësit u regjistruan 1,307 çështje për zgjidhje martese.
M.B.