Transporti i udhëtarëve nga Porti i Durrësit ka ruajtur trend rritës edhe gjatë muajit maj të këtij viti, kjo edhe për arsye të lehtësimit të masave kufizuese, ndërkohë që tragetet kanë vijuar rregullisht lundrimet në drejtim të porteve italiane dhe anasjellas.

Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriterti Portual Durrës, gjatë muajit që lamë pas tragetet kanë kryer 76 lundrime në linjat nga Porti i Durrësit drejt Barit, Ankonës dhe anasjellas, duke transportuar në rrugë detare rreth 38,200 pasagjerë, 19,487 në dalje nga vendi ynë, dhe 18,683 pasagjerë në hyrje.

Ky numër reflekton një rritje me 5,150 pasagjerë më shumë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra maj 2021.

Po të njëjtat burime, saktësojnë se me tragete janë transportuar dhe 7,355 automjete dhe 8,174 kamionë e trailer, të cilët kryesisht kryejnë transport të mallrave. Ky trend rritës lidhet edhe me afrimin e sezonit veror, gjatë të cilit aplikohen masa shtesë të shërbimeve në këtë terminal për përballimin me sukses të hyrje-daljeve.

Autoriteti Portual Durrës në bashkëpunim me të gjitha instancat, të cilat operojnë në portin më të madh në vend, kanë nisur tashmë implementimin e planit të dedikuar masave për garantimin e mbarëvajtjes së operacioneve në nisje të këtij sezoni turistik veror, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga subjektet private në sektorin e udhëtarëve.