Çmimet e disa prej perimeve kanë kapur majat, duke i vënë shumë prej pensionistëve në vështirësi për të mbyllur muajin.

Nga një vëzhgim i bërë në markatën e fruta-perimeve të Durrësit, çmimet e tregtimit të domateve, specave, bizeleve, bishtajave etj janë thuajse të papërballueshme për moshën e tretë. Janë pikërisht këta të fundit që frekuentojnë më së shumti markatën dhe pas çdo blerjeje numërojnë qindarkat, që u mbeten në xhep.

Kurba e rritjes së çmimeve të produkteve të shportës nuk ka të ndalur dhe në shumë raste disa zëra të veçantë tregtohen edhe më shtrenjtë sesa në vendin fqinjë, Itali.

“Banojmë në Milano. Disa produkte atje i gjejmë më lirë sesa këtu. Pataten në Itali e gjejmë me 50 cent, portokallet kanë të njëjtin çmim, domatet i gjejmë me 1 euro kilen. Këtu është më shtrenjtë sesa atje, sepse atje rrogat janë më të mëdha dhe gjërat janë më lirë. Këtu është rroga shumë më e vogël, ne kemi pensione qeesharake”,– na rrëfen një çift shqiptarësh, që jetojnë në Itali.

Konflikti në Lindjen e Mesme është faktori kryesor për rritjen e çmimit të naftës, por rritja e çmimeve të perimeve nuk lidhet ekskluzivisht me çmimin e rritur të karburanteve. Ja si i shpjegojnë tregtarët rritjen e ndjeshme të çmimeve.

“Një pjesë e produktit vendas shkon për eksport, sepse e grumbullojnë pikat e shumicës. Sa më pak mall të ketë, aq më shtrenjtë shkon çmimi. Ky është problemi”,– thotë për “DurrësLajm” një tregtar.

Për moshën e tretë, përballimi i rritjes së pandalshme të çmimeve është kthyer në mision të pamundur. Shumë pensionistë  ndihmohen nga fëmijët e tyre për shpenzimet e muajit, ndërsa të tjerë “shtrëngojnë rripin” dhe mundohen vetëm të mbijetojnë.

M.B.