Rritja e çmimeve të produkteve të shportës dhe karburanteve nxorri në protestë me mijëra qytetarë në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të vendit, mes të cilëve edhe Durrësi.

Në kryeqytet u shënua dita e shtatë e protestës, ndërkohë që të shtunën është thirrur një protestë kombëtare kundër rritjes së çmimeve.

Familjet buxhetore dhe disa kategori si pensionistët, të papunët, personat me aftësi të kufizuar etj janë ata që ndiejnë më shumë rritjen e ­çmimeve dhe ndjejnë portofolin gjithnjë e “më të lehtë”.

Dje, data shënoi 14 mars, që përkon me Ditën e Verës, e cila paralajmëron afrimin e stinës së verës, kur në mënyrë masive u drejtohemi plazheve për t’u shpëtuar temperaturave të nxehta,

Por a do të na kushtojë më shumë plazhi këtë vit?

Duke parë rritjen e çmimeve dhe përshkallëzimin e luftës Rusi-Ukrainë, gjasat janë për PO.

Por edhe sikur kjo rritje e ndjeshme e çmimeve të mos ndodhte, me shumë mundësi përdorimi i shezlloneve në plazh pritet të na kushtojë më shtrenjtë.

Kjo për shkak të rritjes së çmimit për metër katror të sipërfaqes së rërës që do të kenë në përdorim plazhet private. Shfrytëzimi i rërës për plazh do t’u kushtojë më shtrenjtë pronarëve të parcelave të plazhit në bregdetin e Durrësit.

Në paketën fiskale 2022, që anëtarët e Këshillit Bashkiak miratuan në fund të muajit dhjetor 2021, ka pësuar rritje Tarifa e Plazheve Private.

Në krahasim me paketën fiskale të vitit 2021, kur tarifa për metër katror për plazhet private për vijën bregdetare të Durrësit, Rrashbullit dhe Ishmit ishte 400 lekë dhe ajo për Katundin e Ri dhe Sukthin ishte 120 lekë, në vitin 2022 tarifa është bërë respektivisht 500 lekë dhe 200 lekë.

Tarifa është rritur me 100 dhe 80 lekë (në fund të shkrimit falsimile e nxjerrë nga paketat fiskale 2021 dhe 2022) dhe për pasojë plazhet private do të paguajnë më shumë sesa një vit më parë në arkën e bashkisë.

Rritja e tarifës pritet të reflektohet në çmimin e shezlloneve gjatë sezonit të verës. Ndryshe nga vitet e mëparshme, aplikimet online për parcelat e plazhit nisën që në muajt e dimrit në E-Albania, për t’u përmbyllur si proces më datë 27 shkurt.

Viti 2021

Viti 2022

M.B.