Është një nga rrugët më të frekuentuara të Durrësit, kjo për shkak të pranisë së madhe të disa prej restoranteve dhe lokaleve më të njohura të qytetit, si dhe strukturave akomoduese. Infrastruktura e këtij aksi lë shumë për të dëshiruar dhe pamjet që po transmetojmë nuk kanë nevojë për koment.

Gropa të mëdha në asfalt dhe shoferë që mundohen të devijojnë për të shmangur sa më shumë dëmtimin e makinës janë panorama që ofron aksi i Currilave, sidomos në pjesën fundore të tij dhe pranë godinës së universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Shumë nga pusetat nuk janë në të njëjtin nivel me asfaltin, duke krijuar artificialisht gropa të tjera në rrugë.

Për drejtuesit e mjeteve, ky aks ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, por nuk është i vetmi në Durrës që duhet të rikonstruktohet.

Problematikat e infrastrukturës rrugore në lagjen nr.1 të qytetit nuk konstatohen vetëm përgjatë aksit kryesor, por edhe në rrugët dytësore, që e lidhin atë me njësitë e banimit dhe të shërbimit.

E njohur gjerësisht si një nga zonat më të frekuentuara të qytetit në çdo stinë të vitit, rruga e Currilave ka nevojë për ndërhyrje urgjente sidomos tani kur jemi në prag të sezonit turistik dhe Durrësi do të mirëpresë qindra mijëra turistë të huaj, bashkëatdhetarët tanë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, por edhe qytetarët durrsakë, që kthehen të kalojnë pushimet në vendlindje.

M.B.