Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë të lagjes nr.18, pallatet parafabrikate të të cilëve po i nënshtrohen një ndërhyrjeje rigjeneruese urbane ditët e fundit, siç njoftoi “DurrësLajm” dy ditë më parë.

Sipas kryetares së bashkisë, nga ky projekt që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të preken 24 pallate, ndërkohë që janë rreth 630 familje përfituese.

Krahas rehabilitimit të këtyre godinave me system kapot për hidroizolimin e tyre, tek ky bllok do të nisë projekti pilot për heqjen e depozitave nga taracat e pallateve, ndërsa furnizimi me ujë do të sigurohet përmes një sistemi të qendërzuar.

Njëkohësisht midis pallateve do të ketë lulishte dhe kënde lojrash, siç duken në fotot që po publikojmë më poshtë.

Postimi i plotë:

Filluan punimet për projektin transformues të lagjes 18. Duke inspektuar punimet dhe duke bashkëbiseduar me banorët e zonës për këtë investim mjaft të rëndësishëm.

U angazhuam gjatë fushatës përpara banorëve për këtë projekt dhe e mbajtëm fjalën sepse tashmë ka nisur puna. Ky investim do të rehabilitojë 24 pallate parafabrikate me sistem kapot, do të bëhet lyerja e tyre si dhe do të hiqen depozitat nga tarracat pasi furnizimi me ujë do të jetë me sistem të qendërzuar. Po kështu të gjitha kuartallet midis pallateve do të jenë me lulishte e kënde lojërash për fëmijë.

Pra, ky investim do sjellë jo vetëm përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të zonës, rritjen e vlerës së pronës së tyre si dhe rigjenerimin urban të zonës, por do të rrisë edhe ekonominë e bizneseve të vogla të kësaj lagjeje.

E gjithë kjo zonë do të jetë tërësisht e transformuar ashtu siç po e transformojmë të gjithë Durrësin drejt një qyteti evropian.