Në njësinë administrative të Manzës është bërë një punë e jashtëzakonshme në lidhje me rindërtimin, falë edhe mbështetjes së madhe që kemi pasur nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama. Kështu është shprehur kryebashkiakja Emiriana Sako në takimin e zhvilluar me banorë të Manzës.

Ajo u shpreh se: “vetëm në Manzë janë ndërtuar 140 banesa individuale nga e para, ka përfunduar lagjja e re në të cilën, brenda muajit mars do të strehohen 90 familjet e para. Në pallatet që kemi ndërtuar aty do të strehohen edhe familje të tjera të pastreha. Në njësinë tuaj ne kemi investuar 200 milion lekë nga buxheti i bashkisë për infrastrukturën rrugore si dhe në ujësjellës-kanalizime. Shkolla e Armathës është bërë e re me fonde të buxhetit të shtetit dhe këtu kemi planifikuar që të shembim disa ndërtesa të tjera arsimore të dëmtuara nga tërmeti dhe më pas të ndërtohen të reja”.

Kryebashkiakja Sako ka folur para banorëve edhe në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane, duke deklaruar se Durrësi merr frymë lirisht pas mbylljes së të gjitha vendepozitimeve të mbetjeve urbane në Vadardhë, Manëz, Bizë e sidomos pas mbylljes së vendepozitimit të mbetjeve në Porto Romano ku tashmë është ngritur një Eko Park me hapësira argëtuese, gjelbërim dhe fusha sporti:

“Ne po na thonë që kemi bërë gabim që i hoqëm mbeturinat nga Porto Romano dhe krijuam një park ku mbollëm 1200 pemë, ndërtuam fusha sporti e hapësira shplodhëse, na thonë që kemi bërë gabim pse mbyllëm zonat e mbetjeve në Manëz, Vadardhë dhe Bizë, kështu na thonë ata që duan vetëm sherr. Por ne kemi nisur një punë të madhe për transformimin e qytetit dhe me këtë rast dua ti ftoj të gjithë qytetarët pa dallim, t’i bashkohen kësaj nisme transformuese.