Sot është data e fundit për të gjitha firmat e interesuara për të dorëzuar dokumentacionin përkatës për të marrë pjesë në tenderin e rikonstruksionit të galerisë së artit pamor në Durrës.

I hapet kështu drita jeshile rikonstruksionit të të vetmes galeri publike në qytetin bregdetar, e cila prej kohësh ka shfaqur shenjat e degradimit.

Galeria “Nikolet Vasia”, që  ndodhet në qendër të qytetit, ka shumë problematika të cilat përfshijnë lagështinë, vizibilitetin, organizimin e brendshëm, sistemin elektrik dhe ndriçimin, sistemin e aspirimit dhe kondicionimit etj.

Uji i shiut ka krijuar shumë lagështi dhe dëmtim në tavanin e gipsit dhe shpeshherë ky ujë binte mbi kokat e artdashëve.

Shqetësimi për këtë gjendje skandaloze është ngritur edhe nga komuniteti i artistëve durrsakë, që më 2 nëntor 2023 hapën një ekspozitë proteste.

“Sado të jetë e bukur të jetë piktura, në këto mure kaq të pista, me gozhda të shtrembëta, me këtë tavan kaq katastrofë nuk e di sesi këto vepra rrinë dhe duken bukur, me gjithë këtë situatë”,– deklaroi në atë kohë për “DurrësLajm” kuratorja Marjana Goxhabelliu.

Bashkia e Durrësit ka vënë në dispozicion rreth 10 milionë lekë për rikonstruksionin e galerisë së artit pamor.

Projekti përfshin disa ndërhyrje duke filluar nga prishjet e suvatimeve, hidroizolimi i taracës, sistem i ri elektrik, aspirimi dhe kondicionimi etj.

Në aspektin e organizimit të brendshëm, do të bëhet spostimi i hyrjes kryesore, ku do të organizohet dhe një recepsion së bashku me postin përkatës të punës dhe një ambient pritje.

Punimet pritet të zgjasin 49 ditë, pas shpalljes së fituesit të tenderit dhe lidhjes së kontratës me bashkinë.

M.B.