Ky sezon i ri veror ka ardhur me problematika të vjetra në Durrës.

Edhe këtë vit, bizneset në qytetin, që turizmin e ka motor të ekonomisë, po përballen me mungesë të punonjësve.

Është fakt që më shumë njerëz po largohen dhe ka më pak fuqi punëtore të kualifikuar në këtë sektor”, thotë Alban Isteri, kreu i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë Durrës.

Mungesat fillojnë që tek sanitaret e deri tek punonjësit për qendrat e SPA-së apo kuzhinës.

Kjo i ka detyruar bizneset, që edhe këtë sezon të punësojnë të huaj.

Për turoperatorët kjo do të thotë më shumë kosto dhe më shumë probleme.

Punëtorët e huaj kanë kosto shtesë, si biletat e fluturimit, akomodimin ose ushqimin. Për çdo punëtor të huaj duhet të paguash ekstra, ndoshta edhe 1000 euro”, thotë operatori Blerim Norja.

Po cila është arsyeja, që ky vijon të mbetet shqetësimi kryesor edhe pas kaq vitesh sezone të suksesshme?

Për menaxherët e biznesve, që operojnë në “kryeqytetin” e turizmit në vend, janë disa.

Problemi kryesor janë të rinjtë që preferojnë të largohen. Ata mendojnë se do të gjejnë kushte më të mira diku tjetër sesa në Shqipëri”, tregon ndër të tjera Xhoana Gjineci.

Në qytetin bregdetar 70% e stafit mbulohet nga stafet permanente të subjekteve, ndërsa rreth 30% mbulohet nga tregu i huaj.

Gjithsesi, plotësimi i këtyre mungesave bëhet edhe më emergjent, pasi jozyrtarisht Durrësi e ka nisur që më 1 maj këtë sezon veror, që pritet të sjellë më shumë se 1 milion turistë në qytetin bregdetar.

K.Gj.