Javën e kaluar, brenda një dite, erdhën në portin e Durrësit dy kroçerat e para të sezonit, të cilat sollën rreth 150 turistë nga vende të ndryshme të botës.
Ankorimi i dy vizitoreve besnike të portit më të madh në vend, pritet të jetë një ogur i mirë për mbarëvajtjen e sezonit të kroçerave në vijimësi.
Pavarësisht konfliktit në Lindjen e Mesme, numri i kroçerave që parashikohen të akostohen në kalatat nr.4 dhe nr.5 të portit të Durrësit pritet të jetë edhe më i lartë se gjatë vitit 2025.
“Për këtë vit premisat janë të mira, fillimi i mbarë është gjysma e punës. Mendojmë se do të jetë një numër pak më i lartë sesa ai i vitit të kaluar, kur patëm 24 kroçera. Nuk kemi ndonjë anulim lundrimi për momentin, pavarësisht situatës në Lindjen e mesme. Vitin e kaluar patëm dy linja të reja kroçerash “Emerald Cruises” dhe “National Geographic”, edhe këtë vit shpresojmë të kemi një tjetër kroçerë që do të vijë për herë të parë. Mendojmë se do të vijojë shtimi i interesit për Durrësin, por edhe Vlorën e Sarandën”,- tha për “DurrësLajm” kapiteni i portit Tauland Allka.
Një vit më parë, portin e Durrësit e prekën 24 kroçera, ndërsa 2 vite më parë numri i tyre ishte plot 22.
Po ndërsa sezoni i kroçerave parashikohet i mbarë, krejt e kundërta pritet të ndodhë me mjetet luksoze lundruese. Jahtet dhe superjahtet e pasanikëve botërorë e përfshinë vitet e fundit portin e Durrësit në itineraret e tyre për të kryer furnizimin me karburant, duke përfituar nga lehtësitë, që autoritetet shqiptare rezervonin për këto mjete.
Por pas heqjes së klauzolës nga vendi fqinjë Mali i zi, për qëndrimin 3 ditor të mjeteve në port, që duan të furnizohen me karburant, porti i Durrësit duket se ka humbur konkurueshmërinë me portet malazeze.
“Sot në Malin e zi jahtet furnizohen me naftë me çmimin 1 euro, në Durrës është 1.4 euro. Mali i Zi e hoqi edhe detyrimin që mjetet që donin të bënin furnizim me karburant duhet të rrinin 72 orë në port. Këto mjete mund të shkojnë të furnizohen atje, pasi distanca është e shkurtër, 60 milje deri në Tivar”,– thotë Allka.
Në 4 muajt e parë të këtij viti, kanë qenë mjaft të pakta mjetet lundruese luksoze që kanë ardhur në Durrës për t’u furnizuar me karburant, ndërkohë që një vit më parë, në arkën e shtetit u mblodhën mbi 12 milionë euro.
M.B.





