Shefi i mbikëqyrësit të OKB-së për energjinë bërthamore, Rafael Grossi, mbërriti në Teheran të mërkurën dhe u takua me Ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi. Ai postoi në X se dyshja kishte pasur një “diskutim të dobishëm”, por paralajmëroi se Irani “nuk ishte shumë larg” nga zotërimi i një bombe bërthamore.

“Është si një enigmë. Ata i kanë pjesët dhe një ditë mund t’i bashkojnë ato”, tha Grossi për gazetën franceze Le Monde, në një intervistë të botuar të mërkurën. “Ka ende shumë për të bërë para se të arrijnë atje. Por nuk janë larg, kjo duhet pranuar”, tha ai.

“Nuk mjafton t’i thuash bashkësisë ndërkombëtare ‘nuk kemi armë bërthamore’ që ata të të besojnë. Duhet të jemi në gjendje ta verifikojmë”, tha shefi i IAEA-s, Grossi.

Mbikëqyrësi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike u ngarkua me mbikëqyrjen e programit bërthamor të Iranit dhe pajtueshmërinë e tij me një marrëveshje bërthamore të vitit 2015, e cila u shemb tre vjet më vonë kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën prej saj gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump.

Vizita e Grossi-t vjen përpara një raundi të dytë bisedimesh midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të shtunën, një javë pasi të dy vendet zhvilluan bisedimet e tyre të nivelit më të lartë që kur Trump braktisi marrëveshjen bërthamore në vitin 2018.

Si Teherani ashtu edhe Uashingtoni e quajtën takimin e parë “konstruktiv”.

Një ditë më parë, Witkoff kishte kërkuar vetëm që Irani të kthehej në kufirin e pasurimit prej 3.67 përqind të vendosur nga marrëveshja e vitit 2015 me fuqitë e mëdha.

Përpara raundit të ri të bisedimeve të së shtunës, Araghchi dënoi atë që ai e quajti “pozicione kontradiktore dhe konfliktuale” të administratës Trump. “Ne do të zbulojmë mendimet e vërteta të amerikanëve gjatë seancës së negociatave”, tha ai.

Araghchi tha se shpresonte të fillonte negociatat mbi kuadrin e një marrëveshjeje të mundshme, por se kjo kërkonte “pozicione konstruktive” nga Shtetet e Bashkuara. “Nëse vazhdojmë të dëgjojmë pozicione kontradiktore dhe konfliktuale, do të kemi probleme”, paralajmëroi ai.

Të mërkurën, media shtetërore iraniane tha se bisedimet e së shtunës do të mbaheshin në Romë me ndërmjetësimin e Omanit, pasi një zëdhënës italian konfirmoi gjithashtu vendndodhjen.

Araghchi do të shkojë në Rusi, aleatin e Iranit, të enjten, tha Kazem Jalili, ambasadori i Teheranit në Moskë, vizitë kjo e planifikuar kohë më parë.