Data 9 tetor ishte dita e fundit e ekzistencës së shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit Vadardhë, në njësinë administrative Sukth. 481 nxënësit e kësaj shkolle dhe 90 vogëlushët e kopshtit detyrohen tani të bëjnë rreth 4 km rrugë për të zhvilluar procesin mësimor në shkollën “Njazi Mastori”, në qendër të Sukthit.

“DurrësLajm” ishte sot në Vadardhë, ku shumë prindër dhe gjyshër të nxënësve ngritën shqetësimin për largësinë që ka shkolla pritëse nga shtëpitë e tyre. Sipas banorëve, shembja e shkollës duhej bërë kohë më parë, në mënyrë që në fillim të vitit shkollor ajo të ishte gati. Për shumë prej tyre, sidomos gjyshërit, dita nis dhe mbaron me nisjen e nipërve e mbesave në shkollë dhe pritjen e tyre kur përfundojnë pasdite mësimin.

“Isha duke çuar kalamajtë te shkolla, presim autobusin të vijë. Njërin e marr, tjetrin e çoj, ngela gjithë ditën rrugave”, tha njëra nga banoret.

Nxënësit pranojnë se shpesh autobusët mbushen plot e përplot dhe transporti drejt shkollës vështirësohet, sidomos tani në periudhën e pandemisë Covid-19. Sipas tyre, përfundimi i mësimit në orët e pasdites, i penalizon edhe në përgatitjen shkollore për ditën në vazhdim.

Komuniteti i kësaj zone kërkon nisjen sa më shpejt të punimeve për ndërtimin e shkollës së re.

“Ishalla vazhdojnë e bëjnë sepse nëse ka për të mbetur kështu si gërmadhë, ditët ecin”.

“Sa më shpejt ta bëjnë shkollën, aq më mirë është për ne”,– shprehen banorët.

Shkolla 9-vjeçare Vadardhë kishte marrë dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por deri tani ajo ishte funksionale.

Bashkia Durrës ka zhvilluar dy javë më parë, por edhe ditën e sotme, dy dëgjesa publike për shkollat që do të rindërtohen me fondet e Bashkimit Evropian, në kuadër të programit EU4School.    

Në proces për t’u rindërtuar janë 16 godina arsimore kopshte, shkolla 9-vjeçare dhe të mesme. Në dëgjesat publike është theksuar se të gjitha godinat arsimore ndërtohen me Eurocod 8 duke i siguruar nxënësve dhe fëmijëve ambiente me standarte të larta.

M.B.