Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Punë, hulumtime, kërkim në thesarin e pafund të arritjeve më të prekshme të qytetarisë durrsake. Shumë janë trajtuar. Edhe më tej kështu, ndonëse jeta ime sado e gjatë qoftë, nuk do të arrijë t’i plotësoj të gjithë çka dua. Por rast pas rasti, më vjen mirë që po e ndjek të mirën, natyrisht duke e kërkuar atë dhe përfshirë, në tapetin gjigand të krijimtarisë së një publiçisti të dhënë pas protogonizmit të qytetarisë së vendlindjes.

Dhe në këtë seri të pafund portretizimesh, vendi i rezervuar me plot dinjitet dhe personalitet, ndaj një njeriu që ka dhënë shumë, anipse sapo vendosi stekën e jetës në kufirin e 80 viteve. Ky është stomatologu nga të parët, qytetari ndër të mirët, frekuentuesi i sporteve dhe artit nga më aktivët dhe turisti i papërtuar i vendeve të botës së zhvilluar Vangjel Aleksi.

Shkas për të hedhur rradhë për Vangjel Aleksin, u bë një praktikë e kahershme e tyre. Me datën 10-të të çdo muaji, maturat e fundviteve 50-të, takohen për një kafe malli, ku kujtohet rinia e tyre, shokët dhe shoqet që nuk jetojnë më, por edhe ecuria e jetës së secilit deri këtu. Janë kuadro të njohur, që kanë mbajtur peshë në zhvillimin kompleks të Durrësit. Kam parë foto të realizuara, ku një pjesë janë shumë të njohur dhe konributorë aktivë. Ndër to dhe njeriu zotni, me një komunikim plot sharm dhe kulturë, me një të folur ku qetësia fiton mbi gjithçka, me një buzëqeshje që të kujton çeljen e luleve në pranverë. Ky është pra Vangjel Aleksi.

I jati Zoi dhe i vëllai i tij Dud Aleksi, në vitet 20-të të shekullit 20-të lanë Beratin, për t’u vendosur në mrekullinë bregdetare të Durrësit. Zoi, natyrë e shkathët prej tregtari, arriti të krijoj edhe një tavernë që frekuentohej nga qyterarët durrsakë. E shoqja Antigoni, iu bë krah të shoqit dhe ndërtuan një familje fisnikësh, ku lindën vajzat Krisavgjinë, Elizabetën dhe djalin e vetëm Vangjelin dhe bënë të jenë dikushi. Ato bënë çmos t’i shkollonin fëmijët e tyre në farmacuetikë, mercologji dhe Vangjelin në stomatologji.

Por formimi kulturor dhe qytetar i Vangjel Aleksit krahas familjes, u bë edhe gjimnazi mitik i Durrësit “16 shtatori” ku ishin mësues baballarët e mësimdhënies durrsake si Petrit Velja, Matish Gjeluci, Ali Kovaçi, Burhan Kaduku, Sul Demiri, Bashkim Taga etj. Shokët të gjimnazit të Vangjel Aleksit janë emra të njohur, që i kanë dhënë shumë kulturës dhe qytetarisëe durrsake.

Jam plotësisht i justifikueshëm kur mbushem me krenari teksa përmënd emrat e Qemal Domit, Veiz Lelos, Muzafer Bekteshit, Sabri Mullaliut, Dhimitër Beshiri, Dhimitër Miho, Ali Bega, Skënder Rama, Jorgji PemaEqerem Enesi, Lartim Isufi, Pirro Levani, Violeta Qerama, Anushe Bllaca, Elsa Vrohoriti, Lejda Hydi, Luçiana Deçolli, Araksi Zaharian, Iliriana Përmeti, Julia Pali, Adriana Nako, Meri Gjergo, Tahir Gruda, Myftar Muço, Jovan Karanxha, Arto Zaharian, Agron Nashi, Luigj Aleksi etj. Është një maturë me shembuj të arritjeve të kulturës dhe qytetarisë. Është një kapitull nderi për Durrësin dhe detyrim i përhershëm i yni, që në mos shkruajturi për secilin prej tyre, të paktën t’i përmëndim kësisoj.

Ky Vangjel Aleksi kishte hobi atletikën dhe volejbollin. Në 110 metra me pengesa për të rinj, është kampion. Trajneri i përgatitjes, ustai i regjur i atletikës Idriz Çinari. I dalluar edhe në volejboll me pregatitës Ramazan Njalën dhe Dilaver Carën. Dhe në këto sporte ka patur pranë të tjerë të rinj të aftë si Syri Fani, Myzafer Averiku, Shkëlzen Jakova, Mikel Sila, Bujar Mersini, Tahir Gruda etj. Trupi i gjatë, muskujt e lidhur, i jepnin fizikut të Vangjel Aleksit bukuri dhe hijeshi, duke spikatur ndër djemtë tërheqës të Durrësit.

E pyes në intimitet, nëse ka ndonjë histori të veçantë në krijimin e familjes, me vajzën e bukur dhe simpatike Evanthi Qesari, e bija e kuadrit të mirnjohur në Durrës Koço Qesarit.
-Ku më ke prekur mik i vjetër, në një histori natyrisht që nuk mund të harrohet. Isha me shokun tim të respektuar Haki Bllaca, për një kontroll stomatologjik në shkollën e mesme “Naim Frashëri”. Nodhej ku sot është shkolla 9-të vjeçare Eftali Koçi. Dezhurn ishte një nxënëse, që sapo e pashë m’i luajti telat e zemrës. Hakiu e nuhati vëmëndjen time dhe më pëshpëriti në vesh: E bukur qenka Gjele, vëri syrin! Dhe gjërat rrodhën mirë e bukur siç i dëshiroja. Dhe kështu Vanka, ra në rrjetën e simpatisë time dhe tani është gjysma e zemrës.

Me Vangjel Aleksin, Haki Bllacën, Piro Qerimin na lidh një miqësi durrsakësh të sinqertë. Punojmë, duam dhe sakrifikojmë për familjet tona, por kryejmë edhe misionin e qytetarisë durrsake. Takimet tona mbeten të paharruara, ku e qeshura dhe humori mernin dhenë. Motra e Vangjelit – Krisavgjia është e shoqja e Pirro Qerimit, tjetër stomatolog me mjekër në Durrës.

Vangjel Aleksi sapo mbushi 80 vjeç dhe unë i gëzohem kësaj jetëgjatësie. Një jetë e kryer brenda misionit të saj, me përkushtim profesional, me rritjen e kërkesave ndaj vetes, me ngritjen e një familje të shkëlqyer, me përshtatshmërinë në komunitetin e durrsakëve të urtë dhe punëtor, duke bërë një emër të nderuar dhe të respektuar. Kultura që mori në familje, por edhe në gjimnaz, e nxiti edhe më shumë në mbarimin me arritje inkurajuese fakultetin e mjeksisë dega e stomatologjisë. Nga librat në prakitën e madhe të jetës dhe të punës.

-Emërimin e mora në klinikën dentare të Durrësit, kujton Aleksi. Zëvëndësova stomatologun e njohur, respekti për të cilin nuk do të më zbehet kurrë Hasan Jeron, që u burgos dhe u persektua deri në palcë, nga shoku i tij i dikurshëm i Parisit Enver Hoxha. Mendoj se jam ndër të gjashtët stomatologë, që ndërtuam themelet e këtij profili mjeksor në Durrës: Mihal Heba, Haki Bllaca, Fiqiri Deliallisi, Pirro Qerimi dhe Enver Kotorri.

Dhe sfidat e stomaologut të ri Vangjel Aleksi, nisën që në hapat e para të profesionit. Është krenar që në moshën 28 vjeçare, ngriti klinikat e para të stomatologjisë në Manzë dhe NB Sukth. Ky djalë nga qyteti, i rritur në kushte komode, nuk i përbuzi njerëzit dhe mjedisin rural që e rrethonte. Përkundrazi me atë të qeshurën e tij, kombinuar me korrektesën dhe seriozitetin e punës bëri miq, të cilët i kujton edhe tani.

Vangjel Aleksi punon fort, por edhe studion. Në punë e sipër, ai kuptonte qartë se ana teorike, duhej gërshetuar me praktikën aktive. Punës nuk i përtonte. Nuk dinte të thonte se nuk bëhej, pasi ishin të parët dhe u duhej të hapnin shtigje të reja profesionale. Bëhet fjalë për 55 vite të shkuara. Tani sigurisht gjërat kanë ndryshuar, janë bërë moderne, por të parët e stomatologjisë durrsake, njëri prej të cilëve është edhe Vangjel Aleksi, duhen kujtuar e nderuar për atë punë kolosale që kryen. Aleksi i hyri me guxim kirugjisë stomatologjike, si në spital ashtu edhe në poliklinikën e Durrësit. Gjela kryente me mjaft sukses terapinë, ortopedinë e gjithçka tjetër, duke pasuruar profilin e tij të kirurgut të suksesshëm.

Bëri bujo në Durrës lidhja martesore e stomatologut të njohur Vangjel Aleksi, me Evanthi Aleksin që mbaroi edhe kjo fakultetin e mjeksisë dhe më pas specializohet për alergiologe. Një çift i bukur, me traditë familjare, por edhe me ngulitje të fuqishme profesionale. Familja Aleksi dyfishohet me lindjen e vajzës dhe të djalit. Ines ka mbaruar për drejtësi dhe këtë zanat ia ka trashëguar edhe të birit Kris-it. Ndërsa Gerti ushtron profesionin e inxhinjerit të ndërtimit dhe mbetet gjithnjë në kënaqësinë e djalit Ralfit dhe dy vajzave Larisës dhe Livit.

Vangjel Aleksi, e vendosi stekën e jetës së tij në kufirin e 80-të viteve. Në fillimet e karrierës, kujton studentët stazhierë që u bënë edhe ata miq të ngushtë. Bëhet fjalë për Mithat Pekun, Korado Kotri, Laro Koja, Kujtim Lika dhe Nevruz Gërxhani. Malli dhe kujtesa e palëkundur është fiksuar edhe tek kokat e pedagogjisë së stomatologjisë shqiptare: Dhori Pojani, Gaqo Qano, Dhimitra Gira dhe Xhevdet Asllani. Kurse kualifikimi, studime dhe punime shkencore, operacione delikate, që kërkonin vëmëndje dhe kujdes të jashtëzakonshëm, ka kryer ky Vangjel Aleks, që pa ngurrim është vendosur në historinë mburrëse të stomatologjisë durrsake.

Duke ngacmuar traditën familjare, në vitin 1993 hap nga të parat klinika private, duke thelluar emrin e mirë të krijuar, duke mbetur gjithnjë ai Vangjeli i hapave të fillimit të zanatit. Fati e deshi që ai dhe Pirro Qerimi të mbeten ende të fortë, për të kujtuar jo vetëm kolegët që nuk jetojnë, por edhe për të prekur në të gjallë traditën e bukur të stomatologjisë së Durrësit.

Vangjel Aleksi pas 90-tës, është bërë edhe kalorës aktiv i shëtitjeve turistike. Së bashku me Vankën e tij, por edhe me kushëririn simpatik, të mirin Lelo Aleksin, po i bien botës mbarë. Traditë, histori, gjeografi, pasurim të kulturës, relaks dhe joshje. Dhe këto vite ku pleqëria ka nisur t’i ofrohet Vangjeli ynë, miku i hershëm ende vallzon në pentagramin e tij të jetës, duke veçuar pasioni i tij i hershëm, teksa demostron një rokenroll që të mahnit.

Doja të mos e mbaroja këtë shkrim për Vangjel Aleksin. Janë shumë për të thënë, po konturet dhe specifika e publikimit, na e cungon dëshirën tonë. Por ndjehem mirë kur e shikoj këtë mik të rrallë, që për çdo datë 10, në çdo muaj të vitit, vjen të takojë shokët e shkollës. Janë shokët e dashur të rinisë së gjimnazit. Por edhe shoqet, me të cilat kanë ndarë, ëndërrat e rralla dhe pikante të moshës. Jënë të gjithë 80-të vjeçarë, por ndjehen të fortë.

Vangjel Aleksi në kreshendon e një jetë të larmishme, ku në katet e saj u ngjit me kurajo dhe guxim dhe ku gjithçka ndërtoi falë pasionit dhe përkushtimit. Nxënësi, sportisti, kërcyesi, studenti, profesionisti i stomatologjisë, bashkëshorti, babai, gjyshi, pasionanti i natyrës dhe rrugëtimeve, shoku dhe miku Vangjel Aleksi është në ngarkesë të viteve, por ndjehet optimist për rrugëtim edhe më befasues. Sfidat vazhdojnë e ai mbetet pjesë e tyre.

Kështu besojmë deri në 100-të vjetorin e lindjes.

Durrës: 8 mars 2022