Nga Vali Qyrfyçi

Vetëm një orë larg Tiranës, në zemër të natyrës, Shëngjergji dhe malësia e tij ofrojnë aventurën, kënaqësinë dhe kontaktin me natyrën. Vetëm pasi e viziton Shëngjergjin mund ta quash me bindje krahinën më të bukur të Tiranës. Një vend ku ia vlen të rikthehesh herë pas here. Larg zhurmës e rrëmetit të qendrave të mëdha urbane, rreth një orë larg Tiranës, pasi e kalon malin e Dajtit dhe ngjitesh në Qafën e Priskës, të shfaqet lugina e Shëngjergjit me gjithë bukurinë e vet natyrore. Pyje ahu e pishe, burime ujore, livadhe që të mbushin me frymë, paqe dhe pozitivitet. Për të mbërritur deri këtu rruga është e shtruar, por plot kthesa në disa segmente të saj. Tingujt e kitares dhe tekstet plot kuptim të këngëtarit Franc Korumi gjallërojnë udhëtimin tonë nëpër destinacionet më tërheqëse të Tiranës me Qendrën për Bashkëpunim dhe zhvillim Rajonal. Entuziaste, Raimonda Bedo tregon se në vjeshtë sezoni turistik është dhe më joshës, veçanërisht për të zbuluar ngjyra jete, vende dhe histori në kryeqytet dhe rreth e qark tij. 

Ariana Isaku buzëqesh me bindje dhe shton se Shqipëria ofron shumë destinacione të bukura dhe të veçanta, ndonëse pak të njohura e vizituara nga vetë shqiptarët. Kufizimi i lëvizjeve dhe nevoja për të udhëtuar edhe në kohë pandemie, duke respektuar protokollin anti-covid-19, janë mundësi e mirë për të eksploruar këto destinacione, kaq të largëta në mendje, po kaq të afërta në distancë fizike dhe të dashura për këdo që i viziton.  

Ujëvara e Shëngjergjit

Çdo burim ujor është një destinacion i veçantë turistik, por ujëvara e Shëngjergjit është nga më tërheqëset për vizitorët. Ajo njihet me emrin ujëvara e Shëngjinit. E fshehur mes shkëmbinjsh të lartë dhe bimësisë së harlisur, ujëvara njihej vetëm nga banorët e zonës. Tani, një destinacion për të gjithë. Në shtegun e ngushtë has njerëz të grupmoshave të ndryshme. Madje dhe familje me fëmijë të vegjël në krah. Magjia e saj e thyen vështirësinë e terrenit për të mbërritur atje. Deri pranë ujëvarës, që e merr ujin nga burimet e ftohta të Malit me Gropa, shkohet me makinë. E ndërsa makina ndal buzë rrugës, një tabelë e drunjtë me mbishkrimin “Ujëvara” të drejton drejt shtegut të ngushtë, me gurë orientues që të udhëheqin drejt kësaj mrekullie natyrore, deri vonë të panjohur. Shtegu gjarpëron mes gjelbërimit dhe zhurmës karakteristike e shplodhëse të ujit që rrjedh. 15-20 minuta dhe mbërrin te ujëvara që përbën dhe një nga degët e lumit Erzen. Freskia e ujit, rrjedhja e tij nga afro 30 metra lartësi rrethuar nga shkëmbinj të shtresëzuar, largon menjëherë lodhjen për ata që nuk janë mësuar me ecjet nëpër shtigjet e gurta. Fotot fiksojnë çaste të bukura dhe krijojnë kujtimet e kësaj vjeshte për cilindo prej vizitorëve. Këtu pandemia dhe pasiguria, që sjell ajo, harrohen. Është si një arratisje nga stresi, tensionet e përditshme dhe dëshira për të qëndruar më gjatë në Shëngjergj shtohet. Po të vjen keq teksa sheh mbetje urbane të hedhura tek-tuk nëpër shteg nga vizitorët. Ndotja e mjedisit dhemb dhe pse jo tek të gjithë. Bruna, pedagoge e turizmit në UAMD, guidat turistike Adriani, Alfredi, po dhe disa të tjerë nxitojnë të mbledhin ç’të munden dhe t’i grumbullojnë diku buzë rrugës së asfaltuar ku mund të tërhiqen nga makinat e grumbullimit të mbetjeve.  

Tradita dhe ushqimet bio

Ndalesa e rradhës është te “Selimi” ku të pret ushqimi i shijshëm bio dhe buzagazi i mikpritësve. Edhe pse zonë malore shërbimi i ofruar është mbresëlënës, larg komunikimit paksa fodull të kamarierëve të jugut, mosvëmendjes apo kujdesit të tepruar deri në bezdisje të atyre në baret e restorantet e shumta të Durrësit e Tiranës. Pas ujëvarës, gjithçka të shijon. Tavë kosi me mish qengji, bukë misri e ëmbël dhe gruri e bërë vetë, tavë balte, djathë i shijshëm, domatet e famshme të Shëngjergjit e perimet e tjera. Keci apo qengji i pjekur në hell është qershia mbi tortë për ata që dijnë të shijojnë mishin e kullotave të pastra e të pasura. Uji i Shënmërisë në poçe, aq i freskët sa do të doje ta merrje me vete për të shuar vapën e këtyre ditëve të nxehta shtatori, teksa udhëton drejt destinacioneve të tjera.

Në këto zona jo fort të populluara, dashamirësia e banorëve dhe familjeve të pakta që lëvrojnë biznesin familjar përmes bujtinave apo bar-restoranteve në natyrë të fton të mendosh se integrimi i tyre në zonat me interes të lartë turistik është mjaft i vlefshëm për të gjithë. Vizitorët marrin kënaqësinë e papërsëritshme të natyrës, bukurisë dhe produkteve të saj. Vendasit investojnë më tej te puna e tyre në bujqësi, blegtori dhe shërbime, duke braktisur idenë e migrimit drejt kryeqytetit. Nxitja e turizmit në këto zona do të sjellë më shumë zhvillim dhe do t’i mbajë të lidhur banorët me tokën e tyre dhe traditën, duke u bërë pjesë e tregut turistik kombëtar dhe më gjerë, rajonal.

Ndalesa të tjera turistike në Shëngjergj e Tiranë

I banuar shumë herët dhe i njohur me emrat Tomadhe dhe Tamadea, Shëngjergji është një destinacion turistik ende pak i shfrytëzuar, tejet tërheqës me mjedisin piktoresk që ofron. Bëhesh njësh me natyrën dhe nuk do të largohesh prej saj. Ndaj nuk të mjafton një gjysëm dite. Një fundjavë do të ishte ideale, po dhe ditët e javës për ata që kanë kohë të lirë të shijojnë pushimet në vjeshtë. E nëse do të kalosh më shumë se një gjysëm dite në zonë, mund të shijosh shumë më shumë. Jo vetëm ujëvarën, shtegun me natyrën përreth, mishin e shijshëm të zonës të pjekur në hell dhe produktet e tjera bio, falë kullotave të pasura dhe bujqësisë së zonës. Liqeni i lepurit, rrënojat e kështjellës, kalaja e Shëngjergjit, vendi i shenjtë dhe varri i vjetër, si dhe Shpella e Valit që mban statusin e monumentit të natyrës dhe ndodhet në skajin më verilindor të krahinës së Shëngjergjit, po mund të ndjekësh nga afër dhe të shijosh edhe mjaft procese të harruara të jetës së fshatit, si bluajtja e drithërave në mullinjtë me ujë dhe gur, kullotja e bagëtive në lëndinat e shumta dhe mjelja e tyre. Vendasit të tregojnë dhe për “Shpellën e Mirë” të Shëngjergjit, ku njerëzit shkojnë dhe për t’u shëruar nga sëmundje apo dhe nga i ashtuquajturi “syri i keq”.  

Me mbarimin e verës, sezoni turistik nuk mbyllet. Përkundrazi, është kohë ideale për të eksploruar dhe shijuar zonat më të bukura natyrore të Shqipërisë së Mesme të dalluara për historinë, traditën e trashëgiminë e pasur kulturore dhe mikëpritjen karakteristike. Fare pranë Durrësit e Tiranës, jo larg brigjeve të Adriatikut, destinacionet janë të shumta, po një ditë nuk mjafton.

Një tur që nis nga Kulla e Sahatit në qendër të Tiranës, një kullë që të gjithë e shohim, po pak ia njohim historinë që nis në vitin 1822, për të vijuar më pas me Urën e Tabakëve, poshtë së cilës nuk rrjedh më Lana, por ura ka mbetur si një simbol bashkimi i qytetit që nga shekulli XVIII. Kalaja e Tiranës e më pas parku i madh i liqenit artificial, ndërtuar mbi baza vullnetare në vitet ’50, janë një tjetër ndalesë. Liqeni është kthyer në mushkërinë e gjelbër të kryeqytetit dhe vendin më relaksues për familjet dhe vizitorët e Tiranës. 

Destinacioni tjetër ndodhet rreth 12-13 km në juglindje të kryeqytetit, në rrugën Tiranë- Elbasan. Kalaja e Petrelës daton që në shekullin VI p.e.s. po ndërtesa ekzistuese i përket shekullit XV dhe njihet ndryshe edhe si kalaja e Mamicës, pasi në kohën e sulmeve osmane, ajo ishte nën komandën e Mamica Kastriotit, motrës së Skënderbeut. 

Pasi ngjitesh në kala, Tirana të shpaloset e gjitha duke dëshmuar rritjen e shpejtë e të vazhdueshme të saj në vitet e dekadat e fundit. Falë klimës mesdhetare e gjithë zona ka një biodiversitet të pasur dhe përgjatë Erzenit mund të bësh plazh dhe të shijosh ushqimet e zonës në restorantet e shumta. Po ndalesa jonë më e gjatë brenda një dite të mbushur plot me lëvizje dhe kënaqësi, ishte Shëngjergji, për t’u rikthyer në një tjetër ditë në Petrelë për plazh në lumë dhe eksplorim të objekteve të ndryshme me interes historiko-kulturor në zonë, si vendbanimi antik i Persqopit, rrënojat e dy kishave, Tyrbja e Vashës apo Ballaban Pashës, Baba Sakos, si dhe liqeni i Gurrës e ndërtimet karakteristike të shtëpive të Petrelës e dalluar për pamjen panoramike që ofron dhe gjithçka tjetër.