Në qytetin e Shijakut,  mbrëmjen e 1 qershorit, u zhvillua eventi sportiv “Shijak Boxing Fight Nights 2”, i kthyer tashmë në një traditë.

Organizuar nga Bashkia Shijak në bashkëpunim me Titans Fights, ky spektakël ngjiti në ring boksierë dhe kikbokser nga Shqipëria, Kosova, Anglia, Franca, Italia, Portugalia, Nepali dhe Senegali. Nën ritmin e emocioneve dhe shpirtit garues, mbrëmja nisi me katër ndeshje për moshat e reja dhe vijoi me 12 duele të forta midis kampionëve të peshave 60-92 kg.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, theksoi rëndësinë e këtij eventi për komunitetin dhe brezat e rinj.

Trajneri dhe organizatori Enton Kikrri theksoi rëndësinë që ky event ka për nxitjen e të rinjve drejt sportit:

“Kemi përfshirë ndeshje boksi dhe kickboksi. Janë sfida shumë të forta. Kemi pjesëmarrës nga Anglia dhe vende të tjera. Organizime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e masivitetit sportiv. Sot kemi 4 ndeshje për shkollarët dhe 12 të tjera me kampionë ndërkombëtarë. Është një nga organizimet më të fuqishme të deritanishme.”

Pjesë e ringut ishte edhe boksieri më i vogël i mbrëmjes, 8-vjeçari Hegel Kërtusha, i cili ndau emocionet e para pas sfidës së tij:

“Kam 4 vite që merrem me këtë sport. Në fillim ka qenë e vështirë, por tani është më e lehtë. Dua të merrem gjithmonë me boks. Ishte hera ime e parë në ring dhe pata pak emocione, por ndeshja ishte e bukur.”

Mes të pranishmëve në këtë event ishte dhe ish-kampioni absolut Kreshnik Qato, i cili shprehet mjaft i lumtur për ecurinë e sportit të boksit në qytetin e tij të lindjes.

Mbrëmja nuk ishte konceptuar vetëm me duele në ring, por edhe me një koncert festiv, që krijoi një atmosferë shumë të bukur në qendër të Shijakut.

M.B.