Qyteti i Shijakut po përballet me një situatë të vështirë në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm. Temperaturat e larta dhe thatësira kanë bërë që të pakësohet sasia e ujit që shërbente për të furnizuar qytetin e Shijakut dhe fshatrat përreth. Aktualisht stacioni i pompave në Fushë Krujë po punon me kapacitet të plotë për të garantuar sasinë maksimale që prodhohet nga ky stacion për furnizimin e popullatës.

Një pjesë e fshatrave të Shijakut dhe ish-njësia administrative Xhafzotaj, furnizohen me ujë nga burimi i Fushë Kuqes. Me fonde të buxhetit të shtetit po kryhen dy investime njëherësh, në mënyrë që të ketë përmirësim të furnizimit me ujë. Investimet po kryhen me fonde të buxhetit të shtetit dhe autoriteti kontraktor është bashkia e Shijakut.

Investimi i parë ka të bëjë me ndërtimin e linjës së re nga depo e Shilores deri në Maminas, e cila do të shtojë sasinë e ujit, ndërsa investimi i dytë lidhet me ndërtimin e rrjetit të ri shpërndarës brenda qytetit.

Të dy investimet pritet të përfundojnë pas afro dy javësh dhe pas kësaj situata në furnizimin me ujë pritet të përmirësohet ndjeshëm.

Në kushte të tilla Ujësjellës Kanalizime Durrës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve duke iu kërkuar atyre që të mos e shpërdorojnë ujin për larje automjetesh apo vaditje. Për shkak të thatësirës së gjatë, niveli i ujit në puset nga ku nxiret uji ka rënë me rreth 1.5 metër, krahasuar me një vit më parë.

Megjithë kushtet e vështira atmosferike, Ujësjellës Kanalizime Durrës është në gatishmëri me stafin e vet për të furnizuar popullatën me ujë të pijshëm sipas grafikut të miratuar.