Kandidati i koalicionit opozitar për Qarkun Durrës, Oerd Bylykbashi, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në kantierin e rindërtimit dhe shëtitores në Durrës gjatë ditës së sotme.
Në një postim në rrjetet sociale, Bylykbashi e cilëson si të papërgjegjshme nisjen e punimeve në kulmin e përgatitjeve për sezonin turistik dhe në mes të fushatës zgjedhore.
“Në fillim të sezonit turistik dhe në mes të fushatës, bashkia Durrës shpartallon shëtitoren në zonën ku ndodhen restorantet. U ndërtua para 13-14 vitesh dhe kushtoi miliona euro. Tani do të harxhojnë edhe 3.6 milionë euro të tjera,” shkruan ai.
Sipas tij, punimet që do të zgjasin 8 muaj po shkatërrojnë sezonin turistik për bizneset lokale, ndërsa qytetarëve u mohohet një nga hapësirat më të rëndësishme publike.
“Bashkia Durrës dhe qeveria duan t’ua nxijnë jetën qytetarëve, sepse për ta nuk duan t’ia dinë,” shprehet Bylykbashi, duke akuzuar kryeministrin për arrogancë dhe përpjekje për të përdorur investimet si mjete fushate.