Në këtë prag festash të fundvitit, vëmendja për kategoritë më vulnerabël apo familjet me probleme sociale është më e madhe.

Për t’iu bashkuar nismave që u vijnë në ndihmë më të pamundurve duke u dhuruar atyre më shumë dashuri e mbështetje, vogëlushët e klasës së tretë të shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka” kanë ideuar dhe vënë në skenë një shfaqje teatrale.

E ku më mirë sesa në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit 60 fëmijë të kësaj shkolle do të shpalosnin talentin e tyre në interpretim.

Shfaqja e përzgjedhur përmban një mesazh shumë aktual edhe për ditët tona.

Me veprën “Shitësja e vogël e shkrepseve” vogëlushët e “Jusuf Pukës” përveçse dhuruan një interpretim mjaft të ndjerë para mësuesve, prindërve dhe artdashësve durrsakë, bënë të lumtur edhe një familje në gjendje të vështirë ekonomike.

Në bashkëpunim me fondacionin “Fundjavë ndryshe”, të gjitha paratë e mbledhura nga shitja e biletave për shfaqjen shkuan për familjen Losha, nga Durrësi.

Siç rrëfen për “DurrësLajm” drejtoresha e shkollës, Blerta Maliqati, nisma e fëmijëve të klasës së tretë u mirëprit nga prindërit e nxënësve të të gjithë shkollës dhe ishin pikërisht këta të fundit që u morën me shitjen e biletave dhe mbledhjen e parave për familjen në nevojë.

Prandaj dhe në fjalën e rastit, drejtoresha Maliqati pati një falenderim të veçantë për të gjithë prindërit e nxënësve të shkollës së saj, por edhe për mësuesen Teuta Nishani që u mor me organizimin e shfaqjes.