Shkolla e mesme teknologjike “Hysen Çela” në Durrës, ka hapur sot dyert për të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit, përmes një panairi ku ekspozohej shumëçka ofron ky institucion i dijes.

Me 5 drejtimet e saj profesionale, shkolla është mjaft e preferuar nga adoleshentët e qytetit bregdetar, por edhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare në bashkitë rreth e qark Tiranës, të cilët vizituan paraditen e kësaj të mërkure ambientet shkollore dhe laboratorët mësimorë.

Megjithëse janë në vitin e dytë apo të tretë të studimit, shumë nga nxënësit e shkollës “Hysen Çela” janë tashmë të punësuar pranë bizneseve lokale, veçanërisht në fushën e turizmit.  

Drejtoresha Blerina Dervishi tregon për “DurrësLajm” se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është afrimi i sa më shumë nxënësve drejt arsimit profesional. Por jo vetëm i të rinjve, por edhe atyre që prej vitesh mund ta kenë mbaruar shkollën e mesme dhe duan të marrin një drejtim tjetër profesional.

Këtë vit arsimor shkolla “Hysen Çela” numëron rreth 850 nxënës në 5 drejtimet profesionale që ofron Hoteleri – Turizëm, Detari, Tekstik – Konfeksione, Teknologji Ushqimore dhe Ekonomik.

M.B.