Shoqata kombëtare “Shpresë për të verbërit” ka zhvilluar sërish një protestë para bashkisë Durrës, për të ngritur zërin për mosplotësimin e kërkesave të parashtruara prej tyre në protestat e mëparshme.

Kryetari i kësaj shoqate Saimir Farrici deklaroi se ligji nr. 8098, i hyrë në fuqi që në vitin 1996 nuk zbatohet në 90% të rasteve për kategorinë e të verbërve.

Që nga viti 2015, të verbërit nuk kanë marrë kompensimin e energjisë elektrike, në vlerën 600 lekë të reja dhe kërkesat e tyre drejtuar bashkisë Durrës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deri më tani kanë rënë në vesh të shurdhët.

Kryetari i shoqatës thekson se ky komunitet po diskriminohet, ndërsa shumë anëtarë të tij jetojnë në kushte mjaft të vështira. Pavarësisht takimit me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, më 21 shtator, e cila u premtoi zgjidhjen e problematikave që i shqetësojnë, dy muaj më pas asgjë nuk ka ndryshuar.

Në të njëjtën kohë, kryetari Farrici ngriti shqetësimin edhe për kujdestarët e të verbërve, të cilët megjithëse marrin një pagesë mujore nga shteti, nuk u paguhen sigurimet shoqërore.