“Shqipëria e asaj kohe ishte si një fotografi. Jeta kishte ndalur!”

Është kjo vetëm një pjesë e shkurtër nga monologu i aktorit Massimiliano di Corato, që mbrëmjen e sotme u ngjit në skenën e amfiteatrit të Durrësit për të interpretuar veprën e shkruar dhe vënë në skenë nga regjisorja Daniela Nicosia.

Shfaqja teatrale uli siparin e aktiviteteve që u organizuan pasditen dhe mbrëmjen e sotme në Durrës, në përkujtim të 30-vjetorit të eksodit të mijëra shqiptarëve me anijen “Vlora”. Pjesa “La nave dolce” u prit ngrohtë nga publiku durrsak, që risolli në mendje ato ditë të vështira të gushtit 1991, kur mijëra shqiptarë u nisën drejt “tokës së premtuar”.

Me një monolog të gjatë, aktori Massimiliano di Corato rrëfeu përjetimet e atyre ditëve, të para nga këndvështrimi i mijëra shqiptarëve që udhëtonin drejt brigjeve italiane në kërkim të lirisë, të një jete më të mirë.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, regjisorja e teatrit TIB, Daniela Nicosia, tregon detaje për pjesën teatrale që premierën e pati në Bari pak para nisjes së pandemisë.

“Pjesa teatrale “La nave dolce” flet për zbarkimin e rreth 20 mijë shqiptarë në portin e Barit 30 vite më parë. Ngjarja rrëfehet nga këndvështrimi i atyre që u nisën drejt ëndrrave, drejt lirisë. Por e tregon dhe nga këndvështrimi i një fëmije, që kur sheh atë anije plot njerëz I thotë të atit: Baba ajo anije është shtrembëruar! Pjesa e trajton problematikën e atyre ditëve edhe nga aspekti kritik, pasi qeveria dha urdhër të mbylleshin në stadiumin e Barit 20 mijë persona. Ndryshe nga kryebashkiaku Enrico Dalfino që vazhdonte të përsëriste: Janë njerëz, janë njerëz dhe bënte apel për mirëpritje”,- thotë regjisorja Nicosia.

Ajo deklaron se tashmë opinioni i italianëve për shqiptarët nuk është më ai i 30 viteve më parë, madje ajo shpreson që kjo pjesë teatrale të kontribuojë për të ndryshuar edhe më shumë.

Shfaqja “La nave dolce” është bazuar në filmin dokumentar me të njëjtin titull të Daniele Vicari-t, që është nderuar me çmim në Festivalin e Venecias në vitin 2012.

Aktivitetet për eksodin e anijes “Vlora” do të vijojnë më datë 8 gusht në Bari.