Ndërhyrja e realizuar dy ditët e fundit për pastrimin e vijës bregdetare përgjatë shëtitores “Taulantia” është mirëpritur nga pensionistët që e frekuentojnë atë çdo ditë për të bërë plazh.

Ata deklarojnë se situata është përmirësuar ndjeshëm, krahasuar me dy ditë më parë kur “DurrësLajm” e ngriti si problematikë, por mbetet ende punë për të bërë, pasi pirgjet me leshterikë zënë ende një sipërfaqe goxha të konsiderueshme në shëtitore.

Sipas pensionistëve, pastrimi i kësaj hapësire rëre duhet të jetë i përditshëm, ndërsa një kërkesë që e ngrenë njëzëri është vendosja e koshave për hedhjen e mbeturinave.

Për hir të së vërtetës, dy kosha të vegjël gjenden përgjatë shëtitores, shumë pranë plazhit të improvizuar nga mosha e tretë, por në hapësirën e rërës nuk ndodhet asnjë i tillë.

Njëkohësisht pensionistët apelojnë që kjo hapësirë të mos u zaptohet në të ardhmen nga privatët, ashtu siç ndodhi pak javë më parë me plazhin ngjitur me Sfinksin.

Ndiqni në videon e mëposhtme prononcimet e tyre dhënë për “DurrësLajm”.