Përgatiti Stela Likmeta

I duhet të jetë e disponueshme 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës, një detyrë tepër e vështirë për një vajzë vetëm 25 vjeçe, por pasioni i madh që ka për këtë profesion, ia bën më të lehtë funksionin e saj.

Një nga armët e forta të cilën duhet ketë çdo punonjës policie, është qetësia dhe maturia, dhe këto i vëren më së miri teksa bisedon me të. Zëdhënësja e policisë së Durrësit, Elona Muça, me gradë inspektore, në një intervistë për “DurrësLajm”, tregon peripecitë që i duhet të kalojë në këtë pozicion të rëndësishëm që i është atribuuar.

Elonës i duhet të jetë kurdo dhe kudo ku shënohet një ngjarje në Durrës, të cilat për fat të keq, në vendin tonë kanë qenë të shpeshta kohët e fundit. Nuk ka rëndësi nëse i duhet të lërë një gëzim familjar të rëndësishëm, sepse ajo duhet të jetë gjithnjë në krye të detyrës. Brenda një harku kohor prej një viti që mban këtë funksion, i është dashur të përballet me ngjarje vërtet tronditëse.

Por ç’e shtyu një 25-vjeçare që të pranojë një pozicion të tillë? 

Elona, si ju lindi dëshira për të qenë pjesë e policisë së shtetit?

Për një muaj unë mbush një vit që jam pjesë e policisë së shtetit. Mbase është bërë pak klishe kjo pjesë ‘ëndërr-ëndërr’, por realisht e kam pasur ëndërr që e vogël që të jem pjesë e policisë së shtetit.

Kam pritur momentin e duhur që të konkurroj, madje në atë periudhë kur konkurrova, kam qenë duke ndjekur studimet Master Shkencor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Dola fituese dhe njëkohësisht, po në të njëjtin vit mbrojta temën e masterit dhe fillova Akademinë e Rendit.

A kanë qenë dakord familjarët në momentin që zgjodhët të ndiqnit akademinë?

Mund të them që familja më ka mbështetur jashtëzakonisht shumë, nisur dhe nga fakti që babai im është një ish-ushtarak. Xhaxhai im po ashtu ka qenë punonjës policie në vendlindjen time, Lushnje.

Po partneri juaj?

Në momentin kur unë kam konkurruar në Akademinë e Rendit, unë kam qenë e fejuar. E ka pasur pak të vështirë në fillim, por nisur nga insistimi im i madh, filloi dhe ai ta pëlqente këtë gjë, duke pasur parasysh dhe dëshirën time. Profesioni i tij nuk është brenda radhëve të policisë, por dhe ai ka dhënë kontributin e tij dhe më ka mbështetur në rrugën që unë nisa.

Ju duhet të jeni e disponueshme 24 orë në 7 ditë të javës. Ç’ju shtyu ta pranonit këtë detyrë që ju mban kaq të lidhur pas punës?

Kur mbarova Akademinë e Rendit u realizuan me radhë të gjitha procedurat e emërimit dhe mu propozua detyra e zëdhënëses së qarkut të Durrësit, nisur dhe nga fakti që unë banoja në Durrës. E pranova me kënaqësi. Kisha marrë informacion pak a shumë për natyrën e punës, duke qenë se isha e re në radhët e policisë së shtetit, dhe nuk është se kisha hasur ndonjë pozicion apo strukturë tjetër që të bëja dallim nga njëra strukturë tek tjetra. Thashë menjëherë ‘në rregull’, është detyra e parë që mua më atribuohet dhe do ta bëj më së miri. Normalisht fillimi ka pasur vështirësitë e veta. Edhe tani ka atë pjesën e vështirësisë, por me kalimin e kohës i është marrë dora punës nisur dhe nga natyra e ngjarjeve që hasim.

I vështirë është fakti që 24 orë non stop në 7 ditë të javës duhet të jemi në gatishmëri. Në çfarëdolloj ore që ka një ndodhi, duhet që të paraqitem në vendngjarje. Nga njëra anë duhet t’u krijoj hapësirën e nevojshme oficerëve për menaxhimin e ngjarjes, dhe nga ana tjetër të mbledh sa më shumë informacion që t’ua përcjell gazetarëve, duke u munduar që nga ana e tyre të respektohet me rigorozitet perimetri i sigurisë në vendngjarje.

Gjithsesi, në përmbushjen e pak a shumë të një viti punë që unë kam, dua të them që jam shumë e kënaqur, jam e lumtur që mu caktua një funksion i tillë dhe shpresoj që ta kem realizuar më së miri.

Ju mirëkuptojnë familjarët kur ju duhet të çoheni në një orë të vonë sapo shënohet një ngjarje?

Ka ndodhur shpesh pasi dhe ngjarje të shumta janë regjistruar në orë të vona të natës dhe gjatë fundjavës, kur bëhet dhe ajo përballja e kulturave të ndryshme që qytetarë të vendeve të tjera vijnë në Durrës, dhe fillojnë edhe konfliktet. Kjo është dhe ajo pjesa që mund të jetë pak e bezdisshme për familjarët  dhe partnerin tim, por kanë arritur që të më mirëkuptojnë.

Unë jam çuar nga një drekë familjare dhe kam shkuar në vendngjarje, kam munguar në një festë familjare sepse më duhet që të isha në punë dhe nuk kisha asnjë lloj mundësie që të shkëputesha, por jemi mirëkuptuar në këtë pjesë.

Si i keni raportet me gazetarët e Durrësit?

Me korrespondentët e Durrësit i kam shumë të mira raportet, pothuajse me të të gjitha medieve. Normalisht, çdo gazetar ka atë specifikën e vet, nisur dhe nga mënyra e komunikimit, por në përgjithësi çdo gjë shkon shumë mirë.

A keni pasur ndonjë përplasje me ta?

Nuk kam pasur asnjë përplasje. Madje edhe në ato momente kur një media e caktuar që mund të ketë burimet e veta, dhe mund të jetë gjendur e para në çastin që ka ndodhur ngjarja dhe e ka paraqitur direkt në flash dhe hidhet një media tjetër duke na thënë që “Pse nuk na e ke sjellë informacionin”, ndërkohë që unë vetë ende nuk e kam mbledhur të gjithë informacionin për t’ua transmetuar. E rëndësishme për çdo media është që ta marrin lajmin të parët, por duhet të kuptojnë diçka, që në pozicionin që ne jemi, nisur dhe nga veçantia e institucionit që unë përfaqësoj, duhet që unë të mbledh një informacion që të jem sa më e saktë në atë që jap. Nuk mundem të jap një emër dhe mbiemër, sepse duhet plotësuar si ngjarje dhe hajde ta japim sa më shpejt. Duhet të sigurohem mirë për cilin person bëhet fjalë që është pjesë e kësaj ngjarjeje, është autor, apo i dyshuar, viktimë apo i dëmtuar. Por një pjesë e gazetarëve nuk e durojnë dot këtë pjesë dhe nuk presin, ndërkohë që ka dhe nga ata gazetarë të cilët arrijnë deri aty sa më marrin dhe më thonë që “Elona, na e konfirmon një gjë të tillë, sepse ne e kemi marrë vesh një informacion të tillë, por presim konfirmimin tënd zyrtar, sepse nuk mund të nxjerrim ende asgjë pa na e pohuar ju zyrtarisht”. Diçka zyrtare do të thotë një e-mail nga ana jonë, që është procedura e zakonshme që ne ndjekim. Në momentin që e kalojmë në e-mail, atëherë është 100 % i vërtetë dhe s’mund të ketë asnjë ndryshim.

Si i përjetoni ju këto situata tensionuese?

Mundohem t’i përjetoj me sa më shumë qetësi, të jem shumë e duruar dhe gjithkujt t’i jap përgjigjen që meriton.

Cila ka qenë ngjarja më e vështirë që keni kaluar gjatë këtij viti?

Ka qenë dita e diel në dhjetor kur iu bë atentati dy të rinjve në afërsi të hyrjes së portit të Durrësit. Mora njoftimin dhe u nisa direkt për në vendngjarje. Nga vetë përvoja e pakët që kam në këtë detyrë, ishte ngjarja më e vështirë që kam përjetuar. Në bazë të informacionit që unë duhet të përcillja dhe nisur edhe nga mosha e re që kishin dy djemtë, pavarësisht që duhet të jemi shumë të ftohtë, më erdhi keq në lidhje me ngjarjen e rëndë, por arritëm që ta menaxhonim shumë mirë. Dhe gazetarët aty kanë qenë shumë të mirëkuptueshëm, vlen për t’u përmendur një gjë e tillë, pasi kanë treguar një etikë të jashtëzakonshme në komunikim, kanë pritur informacionin zyrtar që unë i kam dërguar.

Si ka ndryshuar policia e shtetit sipas jush?

Duke u nisur nga fakti që janë shtuar femrat në radhët e policisë së shtetit, është diçka shumë pozitive. Duke pasur parasysh që të arrijmë edhe te parimi i mosdiskriminimit apo barazisë gjinore.

Në çfarë pozicioni e shihni veten pas 10 vitesh?

Bazuar në ligjin e Policisë së Shtetit për marrjen e gradave, në bazë edhe të viteve të punës që do kemi, dhe trajnimeve të vazhdueshme që bëhen, synimi kryesor është që gjithmonë të jesh në funksione më lart se ç’jemi në këto pozicione.

Ju komplimentojnë kur jeni me uniformë?

Po, komplimente kam marrë. Në momentet e ndalimit në rrugë të personave të ndryshëm, mund të them që komunikimi është shumë herë më i butë, shumë herë më i kulturuar, duke u nisur dhe nga prezenca e një punonjëse femër krah një mashkulli. Tashmë është bërë shumë i afërt komunikimi mes qytetarit dhe punonjësit të policisë.

Çfarë keni të veçantë ju nga femrat e tjera?

Unë kam provuar edhe punë të tjera, por realisht atë kënaqësi dhe vetëbesim që ti ndjen në vetvete kur mbyllet e gjithë dita, pavarësisht që në funksionin tim nuk ka asnjëherë një mbyllje dite, nuk ta jep asnjë punë tjetër. Është një sodisfaksion i papërshkrueshëm.