*Cilat janë femrat me uniforma blu në qytet!
Intervistoi Stela Likmeta
I kemi parë shpesh në rrugët e Durrësit, dhe kohët e fundit numri i tyre është rritur në të vërtetë shumë, por kush janë ato femra, që nga natyra e brishtë që ia ka dhuruar vetë Zoti, tanimë e kanë mposhtur frikën dhe me forcën që zotërojnë, zbatojnë detyrën e tyre primare për të garantuar rendin e sigurinë për qytetarët e vendit të tyre!
Nën uniformën e policisë që ato mbajnë veshur, fshihet një shpirt njeriu i zakonshëm. Shumëkush mund të mendojë që janë njerëz të akullt, pasi dhe për këtë janë stërvitur, që të tregohen profesionalisht jo emotivë, por në të vërtetë nuk është kështu. Në këtë intervistë për “DurrësLajm”, dy prej punonjëseve femra të policisë së Durrësit, tregojnë më shumë rreth jetës personale dhe punës së një policeje.
Jo më kot kemi zgjedhur dhe një nga femrat e para police të vendit, që më shumë se një dekadë më parë, ishte e vetmja oficere e patrullës së përgjithshme të qytetit të Durrësit. Ornela Buraku, 30 vjeçe, në vitin 2004 theu tabutë në këtë qytet. Kolegët e saj në atë kohë ishin vetëm meshkuj, një pjesë e të cilëve ashtu si të afërm të shumtë të saj, i shprehnin habinë që ç’donte një vajzë e re si ajo në një profesion kaq të vështirë. Të gjithë në rrugë e shihnin çuditshëm dhe komentohej shumë zgjedhja që bëri, por kjo ishte ëndrra dhe pasioni i saj më i madh, dhe askush e asgjë nuk e pengoi që të hiqte dorë.
Që prej asaj kohe, duket sikur jetojmë në një epokë tjetër. Jo vetëm që askujt nuk i bën më përshtypje ky fakt, por madje qytetarëve po i pëlqen fryma e re që po sjellin punonjëset e reja femra në radhët e policisë së shtetit. Një ndër to është dhe Enita Lule, 27 vjeçe, e cila pavarësisht përvojës jo të gjatë, tregon në këtë intervistë se si është ky profesion për një femër.

Ornela Buraku (majtas), Enita Lule (djathtas)
Si është profesioni i punonjësit të policisë për një femër?
ORNELA:Për një person që e ka ëndërr të jetë pjesë e policisë së shtetit, nuk është i vështirë ashtu siç mund të duket. Pa dyshim që ka dhe lodhjen e tij, por si profesion është shumë i bukur. Ëndrra ime ka qenë që e vogël që të jem pjesë e policisë së shtetit dhe prej 11 vitesh jam pjesë e saj, 10 vite në Policinë Kufitare dhe 1 vit në Patrullën e Përgjithshme.
ENITA:Që herët në vogëli, dhe mbi të gjitha kur shihja filma aksion me punonjës policie, të cilët në fund ishin heronjtë e ngjarjes, ëndërroja që një ditë të bëhesha police. Ëndrra mu bë realitet dhe sot jam në radhët e policisë, duke e kryer me pasion dhe devotshmëri detyrën time. Pasioni i madh që kam për këtë profesion, nuk ma bën të lodhshme aspak punën.
A ka qenë dakord familjarët me zgjedhjen tuaj?
ORNELA:Në 2004-n kur unë kam përfunduar Institutin e Policisë, për qarkun e Durrësit kam qenë e vetmja femër. Në atë kohë ishte tabu, femrat kanë qenë shumë të pakta në policinë e shtetit. Kishte raste që edhe vetë punonjës policie, kolegë të mi, më thoshin kur u emërova që “Ç’doje ti në këtë punë”. Ka qenë dhe një pjesë e mirë e të afërmve dhe të njohurve të mi që nuk ishin dakord që unë të bëhesha pjesë e policisë. Edhe shoqëria më thoshte“Ç’do ti të hysh në polici”.
Por fatmirësisht, kam pasur gjithnjë mbështetjen e familjarëve të mi, i kam pasur gjithnjë në krah. Në çdo fazë të konkurrimit, të dy prindërit më shoqëronin gjithnjë për të më përkrahur.
ENITA:Për fatin tim të mirë, familjen e kam pasur gjithnjë në krah dhe më kanë mbështetur, mbi të gjitha im atë dhe vëllai, duke qenë se janë të dy ushtarakë. Në çdo fazë të konkurrimit kanë qenë aty me mua, për të më mbështetur.
Si arrini të menaxhoni punën me 3 turne, njëherazi me angazhimet në familje dhe në çift?
ORNELA:Puna me 3 turne në fakt nuk përbën asnjë lloj problemi për t’ia dalë mbanë me të gjitha angazhimet mia. Sigurisht kur jemi turni i parë, kemi të gjithë pasditen e lirë, por qoftë kur jam turni i dytë apo i tretë, ku këtë të fundit e nisim në orën 22:00, kemi gjithë ditën në dispozicion për t’u marrë me punët personale. Nuk më shqetëson aspak kjo pjesë e punës me 3 turne.
ENITA:Mund të duket i vështirë fakti kur e mendon se si një femër mund të punojë me 3 turne, por në të vërtetë nuk është aspak i tillë. Menaxhimi i kohës është fare i thjeshtë, koha të del si për familjen, ashtu dhe për miqtë e shoqërinë. Thjesht duhet të alternohesh dhe të bësh planet sipas grafikës së orarit që ke përgjatë javës në punë.
Po partneri ju mirëkupton? Ju ka kërkuar ndonjëherë të hiqni dorë?
ENITA:Kur u njoha me të fejuarin tim, isha në fazat e përfundimit të akademisë. Unë më herët kisha ndjekur dhe studimet në drejtësi, por në asnjë moment nuk kam dëgjuar nga ana e tij që ta lë Akademinë dhe të ndiqja profesionin për të cilin unë kisha përfunduar dhe studimet. Më ka përkrahur gjithnjë, madje mund të them se i fejuari im ka një konsideratë të veçantë për punonjëset femra të policisë.
Keni shfaqur ndonjëherë pendesë për këtë zgjedhje?
ORNELA:U bëra 11 vjet dhe nuk jam penduar asnjëherë dhe s’besoj se do të ndodhë. Në vitin 2004 kam fituar konkursin në Akademinë e Sporteve dhe njëkohësisht edhe në Institutin e Policisë, por e lashë atë mundësi për të ndjekur ëndrrën dhe pasionin tim më të madh, Policinë e Shtetit.
ENITA:Unë nuk kam shumë kohë në këtë pozicion, por mund të them që megjithëse fillimi mund të duket dhe paksa jo i lehtë, s’jam penduar. Ndërsa për të ardhmen nuk e di.
A ka raste kur jeni me uniformë dhe ju komplimentojnë?
ORNELA:Para një muaji teksa isha në shërbim, po dilja nga automjeti i patrullës dhe duke vendosur kapelën në kokë më ndalon një grup vajzash dhe më pyesin nëse është e vështirë puna e polices. U them që jo dhe më pas më thonë që “Po na pëlqen shumë. Dukesh vërtet shumë bukur, mbi të gjitha kapela të shkon shumë”.
ENITA:Po, ka jo pak raste kur na komplimentojnë në rrugë dhe na thonë që uniforma ju shkon vërtet shumë.
Nëse keni marrë pjesë në ndonjë operacion për kapjen e personave me rrezikshmëri apo në ndonjë ngjarje kriminale, a keni ndjerë frikë?
ORNELA:Po më ka ndodhur të kem qenë dhe unë pjesë e këtyre operacioneve, por absolutisht që nuk kam ndjerë frikë.
ENITA:Duke qenë pjesë e patrullës së përgjithshme, kam hasur ngjarje të tilla, por mund të them që nuk kam ndjerë frikë si për veten time ashtu edhe për kolegët. Kemi qenë në krye të detyrës dhe çdo gjë ka shkuar në mënyrën e duhur.
Çfarë ndjen një police kur arreston dikë, të cilit pikërisht në atë moment i ndërpritet liria për një kohë të pacaktuar…
ORNELA:Ka pasur raste që unë vetë u kam vënë prangat disa personave, por emocionet i lë larg sapo vesh uniformën dhe jam në krye të detyrës. Pastaj varet dhe se çfarë vepre penale mund të ketë kryer personi në fjalë.
ENITA:Para se të jemi punonjës policie, sigurisht që në radhë të parë jemi qenie njerëzore dhe kemi ndjenja. Por në këtë profesion kemi marrë parasysh diçka, që në momentin që jemi në shërbim, emocionet i kemi kyçur në shtëpi dhe thjesht duhet të zbatojmë ligjin siç na takon. Duhet të jemi jashtëzakonisht të ftohtë në veprimet që kryejmë. Është e vetmja mënyrë kjo për të ndjekur anën procedurale dhe ligjore siç duhet.
Keni ndaluar ndonjë person publik?
ORNELA:Kemi ndaluar persona publikë, kryesisht për shkelje të qarkullimit rrugor, dhe komunikimi nga ana e tyre ka qenë totalisht brenda normave dhe rregullave. Kemi vijuar me procedurat standarde dhe deri në fund të procedurave, mirëkuptimi ka qenë i plotë.
Si reagojnë shoferet femra kur ndalohen pikërisht nga një police femër?
ORNELA:Kam pasur mjaftueshëm raste kur i kam ndaluar dhe mund të them që reagimi i tyre ka qenë gjithnjë krejt normal dhe janë sjellë me mjaft edukatë e kulturë.
ENITA:Duke parë dhe reagimin e tyre, kam kuptuar që e kanë më të lehtë kur ndalohen pikërisht prej nesh, pasi dhe komunikimi është më komod. Sigurisht që kur një drejtuese femër ndalohet nga një punonjëse femër ndjehet shumë më komforte dhe më komode në komunikim.
A keni pasur ndonjë rast që ju kanë kundërshtuar? Apo situata të jetë acaruar?
ORNELA:Jo absolutisht.
ENITA:Jo, asnjëherë.
Po me kolegët si i keni raportet, mbi të gjitha me ata që kanë vite në polici?
ORNELA:Kemi raporte shumë të mira dhe kuptohemi për çdo gjë. Është shumë bukur të punosh me koleg mashkull.
ENITA:Kolegët e mi të togës janë shumë të mirë që të gjithë, dhe mbi të gjitha shumë të kuptueshëm. Punoj me kënaqësi me ta dhe madje i falënderoj sepse më kanë ndihmuar dhe këshilluar në rastet kur unë kam pasur nevojë.
Çfarë mendoni që ju keni të veçantë nga femrat e tjera?
ORNELA:Ky profesion ndryshe nga të tjerët ka dhe shumë adrenalinë në vetvete. E them me plot bindje që është puna më e bukur, kur ti njoftohesh nga salla operative për një konflikt apo një ngjarje të caktuar, ti do të shkosh sa më shpejt në vendngjarje duke përjetuar dhe një adrenalinë që në fakt s’e gjen në asnjë profesion tjetër që mund të kenë vajzat e zakonshme.
ENITA:Nuk është punë shumë e lehtë për femrat, sepse hasesh me situata nga më të ndryshmet, ke vrasje, konflikte, grabitje, por ky profesion të jep dhe një forcë më të madhe, që jo çdo vajzë e zakonshme mund ta ketë.
Në çfarë pozicioni e shihni veten pas 10 vitesh?
ORNELA:Sigurisht që në policinë e shtetit. Me ligjet e reja që ka për konkurrimet në Akademinë e Sigurisë për shkollën e lartë, besoj se e shoh veten në një gradë më të lartë.
ENITA:Shpresoj që në të ardhmen të kemi mundësi për të konkurruar në Universitetin e Policisë, për të fituar grada më të larta.
Ornela, si ka ndryshuar policia e shtetit përgjatë kësaj dekade që ju jeni pjesë e saj?
Ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Mbi të gjitha këto 2 vitet e fundit, duke iu referuar dhe shifrave zyrtare, vërehet se numri i punonjëseve femra është rritur shumë. Këtu e 10 vjet përpara, ishte ende një tabu, por sot është vërtet bukur të kesh më shumë kolege femra.
(Në foto, Enita Lule)


(Në foto, Ornela Buraku)







