Finalizohet operacioni i koduar “Parandalimi” në Durrës, policia vë në pranga një 55-vjeçar që posedonte me qëllim shitjen, mbi 1000 fara Cannabisi, i cili u kap në flagrancë duke i transportuar me automjet.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas dispononte një sasi farash Cannabisi, me qëllim shitjen në qytetin e Durrësit, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të kryera në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, u finalizua operacioni i koduar “Parandalimi”.

Gjatë operacionit, në hyrje të qytetit të Durrësit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues autorin e dyshuar, shtetasin A. Sh. Gjatë kontrollit në automjet, gjetën 2 qese me fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa (në total 1045 fara), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Siç duket edhe nga pamjet që policia publikon përgjatë operacionit, 55-vjeçarit i drejtohen efektivët civilë me një makinë dhe motor, menjëherë sapo i dyshuari zbret nga makina e tij.

Në përfundim të veprimeve, shtetasi A. Sh., 55 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.