Emigrimi i të rinjve, forcës aktive në tregun e punës, është një nga fenomenet sociale më të trishta të viteve të fundit në Shqipëri. Këtë shqetësim e ndan edhe sipërmarrësi italian Rafaelo Tonon, që prej 35 vitesh jeton dhe punon në vendin tonë.
“Largimi i të rinjve nga atdheu është i trishtë, sepse kur largohen të rinjtë ikën zemra. Populli është gjaku, ndërsa të rinjtë zemra. Kur ata ikin, vendi ndihet në vështirësi. Duhet të bëhet gjithçka që këta të rinj të qëndrojnë këtu”.
Sipas tij, shkollat e formimit profesional u vijnë në ndihmë adoleshentëve që duan të marrin një zanat, por pas përfundimit të ciklit të mesëm shumë pak janë ata që mund të vazhdojnë të lartën në profesionin që kanë zgjedhur. Sipërmarrësi Tonon këmbëngul në rëndësinë që kanë trajnimet e vazhdueshme të zanatçinjve të së ardhmes, si një mënyrë për t’i mbajtur ata në Shqipëri dhe për t’i bërë konkurues në tregun e punës.
“Propozimi im është që të shtohen trajnimet profesionale, sepse duke formuar specialistë ata integrohen më mirë në tregun e punës dhe janë më të vlefshëm për ekonominë e vendit. Për të bërë këtë janë të nevojshme shkollat e formimit profesional. Më erdhi keq kur isha i pranishëm tek panairi në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve dhe mbeta i zhgënjyer sepse ishin të pranishëm 29 stenda të universiteteve dhe asnjë nuk ofronte degë profesionale si zdukthëtarë, muratorë, mekanikë, kuzhinierë etj. U zhgënjeva shumë”.
Mungesën e trajnimeve profesionale, Tonon e sheh sidomos shqetësuese në sektorin e bujqësisë, sepse për të ka mjaft rëndësi që Shqipëria si një vend me klimë dhe guzhinë mesdhetare të ofrojë për konsumatorët frytet e tokës së vet dhe jo të importojë produktet ushqimore nga jashtë.
“Agrikultura duhet të zhvillohet që të mbulojë kërkesat e vendit, por edhe të turistëve që vijnë. Nëse gjithçka blihet jashtë, duke nisur nga buka, çerealët, frutat etj nuk është mirë. Për këtë duhen të rinj që njohin mirë zinxhirin ushqimor, rritjen e fruti-kulturës sipas standarteve të BE-së”.
Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 2011 deri në 2022 kanë emigruar nga vendi mbi 512 mijë persona, ku rreth 70% e tyre ishin të rinj.
M.B.