Një situatë e tensionuar u regjistrua mëngjesin e sotëm para bashkisë Durës, pasi disa përfaqësuese të familjeve të komunitetit rom në Nishtulla kërkonin kalimin e bonusit të strehimit, të cilin nuk e kanë marrë prej 9 muajsh.
Pas tensioneve të krijuara në sheshin para bashkisë, një përfaqësi e banorëve u fut brenda për të komunikuar me autoritetet përgjegjëse.


Sipas banorëve, mos dhënie e bonusit prej një kohe shumë të gjatë dhe gënjeshtrat e vazhdueshme lidhur me afatet e kalimit të parave i kanë vënë në një situatë mjaft të vështirë me qiradhënësit, duke rrezikuar të dalin në mes të 4 rrugëve.
Lista me rreth 90 persona përfitues pritet te marrë firmën edhe të kryetares së bashkisë, për t’i hapur rrugë më pas kalimit të parave në llogaritë e banorëve. Sipas përfaqësuesit të shoqatës “Ushten” Ismail Jakupi, dy kanë qenë arsyet pse bashkia nuk u ka kaluar paratë banorëve të komunitetit rom. Arsyeja e parë ka të bëjë me verifikimin e dokumentacionit, ndërsa arsyeja e dytë lidhet me mos kalimin e fondit nga Ministria e Financave.
Në listat e përfituesve të bonusit të strehimit që përfshnin pagesën në masën 50% të qirasë nga ana e bashkisë janë rreth 250 persona që i përkasin kominitetit rom dhe egjiptian. Ndërkohë në total lista ka gjithsej 412 persona. Sipas bashkisë, në ditët në vijim do të kalojnë paratë edhe për familjet e tjera përfituese.
M.B.





