Skulptori i njohur durrsak, Ilirjan Xhixha, firmën e të cilit mbajnë dy vepra të vendosura në sheshet më të rëndësishme publike të qytetit (“Redoni” dhe “Kaligrafia e dritës”) ka hapur ditët e fundit një ekspozitë në qytetin italian të Novarës.

5 skulptura të Xhixhës janë ekspozuar në sheshe publike të qytetit, ku artisti nga Durrësi jeton e punon prej shumë vitesh tashmë.

Ekspozita me 5 instalacione e Xhixhës “Arte e Fede” ka tërhequr vëmendjen e mediave të vendit fqinjë, të cilat shkruajnë ndër të tjera se veprat e artistit shqiptar do të mund të admirohen nga të gjithë që do të përshkojnë deri më 31 janar 2023 dy nga sheshet qendrore të Novarës.

4 skulpturat e vendosura në sheshin “Martin della liberta” janë pozicionuar pranë monumentit të mbretit Vittorio Emanuele II dhe dy godinave të viteve ‘800.

Në punimet e tij voluminoze, të përshtatshme për vende të hapura, Xhixha nuk ka lënë pas dore një detaj shumë të rëndësishëm, që lidhet me identitetin e tij kombëtar; të kuqen e flamurit shqiptar. Madje në njërën nga fotot, Xhixha nuk nguron të shfaqet, ndërsa formon me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.

Në të 5-të instalacionet e Xhixhës vihet re përdorimi i materialit çelik inoks, për transformimin e të cilit skuptori durrsak është mjeshtër tashmë.

E pikërisht zotësia e Xhixhës për të zotëruar çelikun, e për t’i dhënë atij formën e dëshiruar në skulpturë është ajo që evidenton kritiku Edoardo Di Mauro, drejtor i Akademisë së Arteve të Torinos.

“Materiali i përdorur kryesisht nga artisti është çeliku inox, i cili është një manipulues i zoti, deri në atë pikë sa mund t’i japë lehtësi dhe mendjelehtësi, shkathtësi dhe dinamizëm diçkaje të shpikur pikërisht për të qenë sa më rezistente ndaj oksidimit dhe korrozionit”,- shkruan De Mauro për skulpturat e Xhixhës.

Përthyerja e dritës është një element mjaft i rëndësishëm i veprave të artistit nga Durrësi dhe në secilën prej veprave të përfshira në ekspozitë ajo realizohet më së miri, duke ofruar kontrastin e duhur me ambientin përreth.

Kritiku de Mauro flet me superlativa për Xhixhën në shkrimin e tij, madje ai nuk nguron të thotë se skulpturat e artistit të talentuar nga Durrësi meritojnë të kthehen në trashëgimi të përheshme të Novarës.

Vendimi për vendosjen e pesë skulpturave të Xhixhës në vende në qendër të Novarës duket jashtëzakonisht i përshtatshëm, pasi stili i artistit shprehet më së miri në atë dimensionin e përballjes dhe dialogut me mjedisin e jashtëm. Shpresohet që një nga veprat e tij të bëhet së shpejti trashëgimia e përhershme e qytetit piemontez”,– shkruan kritiku italian.

M.B.